AlbanianSport.com 22/12/2017 21:30
ASNN – I pari nga dy sfidat derbi të Moskës, është fituar të premten nga CSKA-ja, e cila ka mundur Khimkin me shifrat 79-68. Në fakt, gjysma e parë e kësaj sfide të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport, ka folur për gjiganden kryeqytetase, e cila ka qenë gjatë gjithë kohës në epërsi në këtë derbi moskovit, pa e lëshuar kryesimin për asnjë minutë në 20 minutat e fillimit.
CSKA-ja do ta mbyllë 10-minutëshin e parë me shifrat 23-16, ndërsa edhe 10-minutëshi i dytë do të dominohet prej saj, ndërsa Khimki është i ngadaltë në reagimin e saj dhe nuk e kërcënon kryesimin e rivales kryeqytetase deri në fund. 20-17 është kjo pjesë e dytë për CSKA-në e Moskës, e cila shkon kështu në dhomat e zhveshjeve duke kryesuar me shifrat 43-33.
Por Khimki del një skuadër e vendosur prej andej dhe do të reagojë në pjesën e 3-të, duke e shkurtuar pikë pas pike hendekun që e ndan nga kundërshtarja bashkëqytetase, e duke arritur madje të afrohet deri në një pikë, 52-53, kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 14 sekonda nga ky fraksion loje. Por CSKA-ja mbahet dhe shkëputet sërish dhe e mbyll pjesën e 3-të në epërsi 57-55, edhe pse Khimki e fitoi këtë 10-minutësh me shifrat 22-14.
Pjesa e 4-t do të shohë sërish në parket skuadrën vendase në dominimin të plotë, duke shijuar madje edhe një rezultat të pjesshëm 14-0 brenda një 4 minutëshi të gjysmës së parë. Reagimi i Khimkit është shumë pak dhe shumë vonë dhe CSKA-ja e Moskës e fiton këtë pjesë 22-13 dhe krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 79-68, duke korrur fitoren e 11-të në këto 14 javë dhe duke mbetur në krye. Ndërsa Khimki mbetet në mesin e tabelës, pas humbjes së 6-të të pësuar deri më tani, ndërsa 8 takimet e tjera i ka fituar.