Adriatik Balla 31.07.2015 19:00
Është menduar që Vllazninë në Ligën Ballkanike ta zëvendësojë Tirana, e cila kishte shprehur edhe vjet interes për pjesëmarrje në këtë veprimtari, por, ashtu sikundër Vllaznisë, edhe Tiranës i mungojnë financat dhe do të duhet vetëm një ndërhyrje e shpejtë e sponsorëve për të mundësuar regjistrimin e saj.
Ashtu sikundër Vllaznia, edhe klubi i basketbollit të Tiranës varet nga Bashkia dhe në këtë drejtim ish-kryebashkiaku Basha i la gjërat pezull, pa u dhënë drejtim disa lëvizjeve sportive që mund të ishin një “dritare e mirë” për ta ballafaquar basketbollin tonë dhe nivelin e tij me skuadrat ballkanike.
Federata e koshit nuk ka para, pasi ka një buxhet tepër të kufizuar dhe me aq para sa i është akorduar nga shteti mezi organizon veprimtaritë vjetore, ndërsa Bashkitë, në mungesë të vizionit për sportin harxhojnë më shumë kohë me politikë se sa të gjejnë rrugët e zgjidhjes për rritjen e nivelit sportiv, duke i lënë skuadrat e traditës në mjerim të plotë.
Duke parë zhvillimet e fundit, është e kuptueshme se basketbolli ynë po humbet një shans të mirë dhe e gjitha kjo për një faturë 15 mijë euroshe regjistrimi. Vetë klubet kanë dështuar të bindin sponsorët të afrohen dhe të japin kontributin e tyre, kjo edhe për shkak të ndërhyrjes së politikës në sport, i cili merr ngjyra partiake sipas rezultatit të zgjedhjeve.