Gjergj Vyshka 09.03.2017 14:20
Tirana Eagles Basket është skuadra e dytë e Kategorisë së Parë, e cila do të luajë në “play-off” me të 5-ën e Kategorisë Superiore, që me shumë gjasa do të jetë Ardhmëria Basket, tashmë ka nisur t’i bëjë parapritë gjykimeve tendecioze. Klarent Dedaj, trajneri i Tirana Eagles Basket, i është kthyer dhe një herë gjykimit të ndeshjes me Partizanin, më 26 shkurt, të cilën e humbi 62-68. Në atë ndeshje kanë qenë Marli Kasemi, ndërsa janë dhënë 5 ndëshkime me gabime teknike (dy për Eagles Basket, Laperi dhe stoli, si dhe tre për Partizanin, Gozhdari, Pylla dhe Ikonomi).
Jo vetëm kaq, por janë plot 6 ndëshkime me teknikë antisportivë (dy Gozhdari, 1 Laperi, dy Ikonomi dhe 1 Allaraj). E megjithatë Dedaj, që i është kthyer dhe një herë gjykimit të asaj ndeshje, ka treguar: “Është pranuar botërisht se në derbin e së dielës, më 26 shkurt, gjykimi ka ndikuar negativisht në rezultatin e ndeshjes, – ka pretenduar ai. – Ekspertë të gjykimit, pasi kanë parë dhe “dvd” e ndeshjes, kanë thënë se gjyqtarëve u ka dalë ndeshja nga kontrolli. Në 18 raste kanë vendosur gabim nga këto 12 raste kundër Tirana Eagles Basket dhe 6 raste kundër Partizanit.”
“E kur në këtë ndeshje rezultati nuk ndryshonte asgjë në renditje, çfarë mund të ndodhë në “play-off”, – hipotezon ai. – Edhe vetë gjyqtarët e ndeshjes e kanë pranuar se e kanë humbur kontrollin e ndeshjes. Unë jam treguar shumë tolerant dhe nëpërmjet rrjetit të “Facebook”-ut në FSHB kam kërkuar që Andi Bejko, për njëanshmëritë e tij në më shumë se një rast në ndeshje derbi, të mos e gjykojë Tirana Eagles Basket. Duhet të kisha kërkuar më shumë, por duke qenë se jam përpara “play-off”-it, kërkova vetëm që Bejko të mos ishte në derbi.”
“Jemi përpara “play-off”-it dhe kur gjyqtarët emërohen me vesh, ç’mund të ndodhë. Është parë e riparë DVD-ja, ndaj dhe kanë arritur në përfundimin se gjyqtarët kanë gabuar në derbi”, – ka përfunduar trajneri Klarent Dedaj. Këtë javë Tirana Eagles Basket e ka pushim, ndërsa një javë më parë kishte fituar në Korçë ndaj Skënderbeut, 76-61, kurse Partizani të martën në Elbasan ka arritur fitoren e trembëdhjetë radhazi, teksa ka mundur skuadrën vendëse 91-34.