AlbanianSport.com 08.08.2015 10:25
ASNN – Basketbollisti i mirënjohur, Dardan Berisha, e ka kaluar fazën e parë të përzgjedhjes nga trajneri i Polonisë për Eurobasketin e këtij viti. Ylli i basketbollit kosovar, duket se e ka kaluar me sukses fazën e parë të përgatitjeve me Poloninë para “Eurobasket 2015”-tës.
Sipas mediave polake, nga 16 lojtarë që kanë qenë të grumbulluar në fazën e parë stërvitore të Polonisë, tani kanë mbetur 13, ku është përfshirë edhe Dardan Berisha, i cili rikthehet kështu në këtë përfaqësuese. Në “Eurobasket 2015”, çdo skuadër përfaqësuese duhet të regjistrojë 12 basketbollistë.
Dhe një lojtar i radhës që do të largohet nga trajneri amerikan i Polonisë, Majk Tejlor, do të mësohet pas miqësoreve të radhës. Polonia do të konkurrojë në Grupin A të “Eurobasket 2015” , ndërsa ndeshjet ky grup do t’i luajë në qytetin e Montpeljesë, në Francë.
Polakët janë në grup me Rusinë, Bosnjë-Hercegovinën, përfaqësuesen vendase, Francën, Finlandën e Izraelin. Kampionati Evropian i Basketbollit, që njihet si “Eurobasket 2015”, këtë vit do të zhvillohet në katër shtete, e më konkretisht në Kroaci, Francë, Gjermani dhe Letoni.