Gjergj Vyshka 29.01.2016 18:45
Gjeorgjia, Sllovakia dhe Mali i Zi kundërshtarët e Shqipërisë dhe Cuka gjykon se shorti është shumë i fortë dhe aspak i lehtë. “Kush mendon se jemi në një grup të lehtë gabon, – ka thënë ai, duke folur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. – Uroj të kemi fat, por është e vështirë, sepse jemi përballë skuadrave që kanë mbi 10 vjet që marrin pjesë në aktivitetet evropiane. Jo vetëm kaq, por janë ekipe që nuk e kanë marrë vendimin sot për sot për të marrë pjesë në këto eliminatore.”
“Kanë vite që përgatiten dhe sigurisht që kanë një objektiv”, ka shtuar Cuka, teksa është ndalur pikërisht tek Gjeorgjia. “Unë do të them në veçanti Gjeorgjia është një kundërshtar shumë i vështirë, sepse e njoh mirë, – thotë ai. – Është një skuadër së cilës ju deshën 10 vjet për të qenë në finalet e Evropianit. Në atë skuadër janë dhe dy nga lojtarët e mi. Janë ekipe me përvojë të madhe dhe përballja me to kërkon shumë punë të studiuar dhe me njerëz të kualifikuar.”
“Ndryshe nuk më mbetet gjë tjetër, veçse uroj që të kemi fat”. Në daljen e tij ekskluzive të dielën në mbrëmje tek Ora News, presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, pat pohuar se është duke u kërkuar një trajner. Për Fatmir Cukën, kjo është e thjeshtë. “Që të kemi rezultatet e duhura me ekipin kombëtar unë do të bashkoj komunitetin e basketbollit, si dhe do të sjellë për këtë punë më të mirët. Sepse kjo punë do dedikim dhe jo llafe”, – ka përfunduar Cuka, ndërsa zgjedhja e trajnerit të ri të kombëtares së madhe dhe të moshave do të jetë enigmë të paktën deri më 15 shkurt.