Gjergj Vyshka 03.08.2016 12:35
Çelis Taflaj në kombëtaren e të rriturve të basketbollit shqiptar ka bërë bujë në mjedisin italian. Që nga www.megabasket.it, apo “Orange” e faqe të tjera të Internetit në Itali e kanë cilësuar surprizë thirrjen e basketbollistit të Viola Rexhio-Kalabria nga trajneri i kuqezinjve, Kostantinides.
Ja se çfarë shkruhet në njërin prej tyre: “Për njërin prej xhevahirëve të rinj të Violës ka ardhur kënaqësia e thirrjes në kombëtare. Federata Shqiptare e Basketbollit i ka drejtuar klubit verdhezi një kërkesë zyrtare, me të cilën i ka kërkuar autorizimin për ta lejuar Çelis Taflajn të marrë pjesë në grumbullimin e përfaqësueses, nga 31 gusht në 18 shtator.”
“Lojtari i Violës, qendër 18 vjeç, me një të ardhme të sigurt, do t’i bashkohet skuadrës së udhëhequr nga Antoni Kostantinides në prag të nisjes së Eliminatoreve të Kampionatit Evropian 2017”, – vijon më tej shkrimi në fjalë.
Kësisoj Taflaj, pas pjesëmarrjes në Kombëtaren e Nën-20-vjeçarëve të Shqipërisë, tashmë ka rritur shkallët e karrierës së tij me grumbullimin në kombëtaren e të rriturve, e cila ka bërë bujë në Itali. Kombëtarja e Shqipërisë dhe dje ka vijuar me dy seanca stërvitore.