Gjergj Vyshka 17.03.2016 18:55
Ardhmëria Basket-Superiori është ndeshja më kryesore e Kategorisë së Parë në basketbollin e meshkujve, që do të luhet të premten në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Dhe, në intervistën e dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, atje ku ka deklaruar se që nga 16 tetori nuk është më anëtar i Komitetit Drejtues, trajneri Eduard Çarçani ka folur edhe për këtë sfidë.
Përtej kësaj ndeshjehe, ai ka analizuar jo vetëm kërkesën për të bërë zgjedhjet kaq shpejt, apo dhe punën e bërë nga presidenti Ponari. Por në mbështetje të kandidaturës së Arben Fagut beson se me të gjërat do të ndryshojnë për mirë në basketbollin shqiptar.
Ja dhe intervista e dhënë për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com jua solli në dy pjesë, sot dhe nesër, dhe sot është pjesa e dytë.
…Vijon nga dje
– Riktheheni në krye të një ekipi basketbolli pas një mungese prej gati dhjetë vitesh. Ju mungonte realisht drejtimi i një stoli?
– Është e vërtetë që për një periudhë kohe, ekzaktësisht që kur Klubi Shumësportësh “Dinamo” pushoi së ekzistuari, nuk kam qenë në drejtimin e ndonjë skuadre. Duke pasur parasysh se lidhja ime me basketbollin është e hershme, qoftë si sportist (nga klasat sportive deri në fundin e 2010-ës), qoftë si trajner (prej fillimit të viteve 90 e deri tani), por dhe se pasioni dhe investimi i bërë në këtë drejtim ka qenë shumë i madh nga ana ime mendoj se më ka munguar drejtimi i një skuadre gjatë kësaj periudhe. Kthimi ishte thjesht dhe vetëm çështje kohe, sikundër dhe ndodhi.
– Sa e vështirë ishte të përshtateshit me një skuadër të panjohur dhe pa shumë histori në basketbollin shqiptar ?
– Fillimisht dëshiroj të përmend që Superior Basket të rritur është një skuadër e formuar dhe regjistruar së fundmi në kampionatin kombëtar të Kategorisë së Parë. Por ky emër nuk është fare i panjohur për basketbollin në vend, sepse prej 8 vitesh tashmë merr pjesë rregullisht në aktivitetet e grupmoshave të ndryshme të sistemit të të rinjve. Atje ku në shumë raste ka dalë dhe fitues i trofeve të ndryshme dhe titujve për djem e vajza. Duke mbetur tek pyetja juaj, si çdo gjë e re që krijohet edhe formimi i ndërtimit të skuadrës sonë kishte vështirësitë e veta të tipit organizativ, përzgjedhës, programues etj. Bashkërisht me drejtuesit e tjerë të skuadrës përcaktuam dhe vendosëm disa rregulla për funksionimin sa më të mirë të ekipit. Kështu që puna dhe përshtatja ime me skuadrën ishte natyrale dhe e mirëpërcaktuar. Gjykoj se kemi ndërtuar një punë e cila ka objektiva të qarta dhe jo thjesht të përqendruara vetëm në atë sportive.
– Jeni strikt në kërkesat e punës tuaj qoftë në stërvitje, por edhe në ndeshje, a është ky brez i ri aq i dëgjueshëm sa për ta pasur ligj atë që thotë profesori?
– Mendoj se është shumë e rëndësishme në këtë rast vendosja e disa normave për mirëfunksionimin e punës. Çdo trajner ka fizionominë dhe praktikën e tij të punës. Sa i përket skuadrës që unë drejtoj (përbërja e së cilës varion nga 18 deri 22 vjeç), mbështetur dhe në disa rregulla të vendosura e të pranuara nga të gjithë, them se elementi i përzgjedhur është në gjendje të pranojë dhe të zbatojë kërkesat dhe detyrat e dhëna gjatë procesit stërvitor dhe gjatë ndeshjeve zyrtare.
– Dy fazat e para me luhatje, tashmë duket sikur skuadra është çliruar pas kësaj fitoreje me Elbasanin. Ekzistojnë shanset dhe mundësitë që të hyni direkt në Superligë?
– Pavarësisht fillimit të shpejtë të përgatitjeve për sezonin e ri (fillim të gushtit 2015), është e vërtetë që skuadra pati disa probleme në paraqitjen e saj gjatë dy fazave të para, probleme që kanë të bëjnë me moshën e re të saj, njohjen e pakët të lojtarëve me njëri-tjetrin. Dhe për pasojë edhe harmonizimin e dobët ndërmjet tyre. Që prej mbylljes së fazës së dytë përgatitjet tona kanë vazhduar rregullisht. Po përpiqemi që skuadra të rritet si në aspektin fizik, ashtu dhe në tekniko-taktik. Sa i përket shanseve për të kaluar apo jo direkt në Superligën e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, mendoj se ekzistojnë vetëm mundësitë matematikore. Do të luajmë kampionatin tonë deri në fund dhe do të kërkojmë suksesin në çdo ndeshje.
– Përtej profilit të trajnerit, ju jeni njëkohësisht dhe anëtar i Komitetit Drejtues të FSHB-së. Pse kaq ngut për të bëre zgjedhjet?
– Për t’ju korrigjuar juve, por dhe për dijeni të të gjithë të interesuarve, prej 16 tetorit 2015, datë në të cilën është mbajtur dhe një nga mbledhjet e Komitetit Drejtues për vitin që shkoi, unë nuk jam anëtar i atij forumi. Vendosa të respektoj vendimin e kësaj mbledhjeje në lidhje me respektimin e statutit të FSHB-së mbi shmangien e konfliktit të interesit. Për nxitimin për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të Federatës Shqiptare të Basketbollit akoma nuk kemi një informacion dhe arsyetim nga ana e KD-së mbi vendimin e marrë prej tyre për të ndërprerë mandatin dhe për të zhvilluar zgjedhje te reja.
– A ua kanë cilësuar ndonjëherë si konflikt interesi të qenit dhe anëtar i Komitetit Drejtues edhe trajner njëkohësisht?
– E përmenda dhe më lart që në respekt të statutit të FSHB-së, meqenëse pozicioni i trajnerit të Superior Basket prej afro 20 ditësh, ishte në konflikt më të qenit anëtar i KD, vendosa të tërhiqem nga pozicioni i anëtarit të Komitetit Drejtues. Dhe këtu besoj se nuk ka më vend për të diskutuar një temë të tille, sepse ky problem është ezauruar me largimin tim.