Gjergj Vyshka 16.03.2016 20:45
Ardhmëria Basket-Superiori është ndeshja më kryesore e Kategorisë së Parë në basketbollin e meshkujve, që do të luhet të premten në ora 19:00 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Dhe, në intervistën e dhënë për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, atje ku ka deklaruar se që nga 16 tetori nuk është më anëtar i Komitetit Drejtues, trajneri Eduard Çarçani ka folur edhe për këtë sfidë.
Përtej kësaj ndeshjehe, ai ka analizuar jo vetëm kërkesën për të bërë zgjedhjet kaq shpejt, apo dhe punën e bërë nga presidenti Ponari. Por në mbështetje të kandidaturës së Arben Fagut beson se me të gjërat do të ndryshojnë për mirë në basketbollin shqiptar.
Ja dhe intervista e dhënë për “Sport Ekspres”, të cilën AlbanianSport.com do t’jua sjellë në dy pjesë, sot dhe nesër, dhe sot është pjesa e parë.
– Çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq Ponari në këto 4 vjet?
– Mbase nuk më takon mua të analizoj se çfarë ka bërë mirë, apo keq, presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Por në opinionin tim ka anashkaluar mundësinë për të ushtruar të drejtën dhe autoritetin e tij në respektimin e dokumenteve kryesore të FSHB-së, në zbatimin e vendimeve të KD-së etj., apo dhe në favor të rritjes dhe zhvillimit të basketbollit në vend. Mendoj që, me programin e tij, ai nuk arriti të jetësojë komercializimin e basketbollit, ta bëjë këtë sport sa më tërheqës dhe atraktiv për publikun, si dhe të afrojë pranë tij partnerë seriozë, mediatikë dhe financiar, për të mbështetur qoftë Kampionatet Kombëtare, apo dhe ekipet përfaqësuese në garat e tyre evropiane. Mund të përkrah iniciativat e marra prej tij dhe prej KD-së mbi pjesëmarrjen me moshat në Kampionatet Evropiane, apo marrëveshjen me MAS për shfrytëzimin e ambienteve sportive të shkollave. Por nuk mund të them që janë bërë mirë për sa kohë pjesëmarrja me moshat në garat evropiane nuk shoqërohet me strategji të mirëmenduar, afatgjatë, për mbështetjen e këtyre skuadrave. Apo kur prej mëse një viti nuk dihet akoma se cilat janë këto mjedise dhe çfarë kriteresh janë përcaktuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Nuk jam në gjendje të them se cila ka qenë mbështetja financiare që Ponari ka dhënë për FSHB-në gjatë kësaj periudhe përsa kohe nuk ka ndonjë shifër të saktë, apo të aprovuar në analizat vjetore. Nuk mund të them që drejtimi prej tij, të paktën në këtë mandat, ka sjellë ndonjë të re në basketbollin tonë.
– Fagu përballë Ponarit, një person që ju e keni pasur dhe trajner tek Dinamo. Sa bindës është në kandidaturën e tij?
– Duke e njohur prej mese 30 vitesh, Fagu ka një kontribut të madh në basketbollin në vend, si në aspektin teknik dhe te drejtimit gjatë këtyre viteve të skuadrave, të klubeve dhe atyre kombëtare, ashtu dhe në atë organizativ. Kujtoj drejtimin me sukses prej tij të programit sportiv rinor gjatë viteve 1990 në Fondacionin “Soros”. Personalisht besoj në kandidaturën e tij dhe mendoj se përmes eksperiencës së fituar ai do të dijë të zbatojë me sukses programin e tij për përmirësimin dhe zhvillimin e basketbollit në vend. Gjykoj se është një kandidaturë e plotë për të marrë drejtimin e FSHB-së. Kandidatura e tij do të jetë shumë afër jetës reale të basketbollit, problemeve në këtë komunitet, duke i dhënë një përmasë gjithëpërfshirëse të gjithë anëtarëve të komunitetit të basketbollit.
– Një qipriot në krye të kombëtares së basketbollit të meshkujve. A nuk ishte i parakohshëm si emërim përpara se të përfundonin zgjedhjet?
– Nënshkrimi me një trajner të huaj nuk është i pari në ekipin përfaqësues të meshkujve, kujtoj trajnerin neo-zelandez të disa edicioneve më parë. Koha ka treguar se këto eksperienca, si të trajnerëve të huaj, apo të trajnerëve shqiptarë që jetojnë jashtë, apo dhe shqiptarëve që punojnë në vend, janë shoqëruar me probleme të shumta organizative, planifikimi, mbështetjeje etj. Dhe në asnjë rast nuk kanë sjellë ndonjë rezultat pozitiv për ekipin tonë përfaqësues. Duke qenë se Presidenti i FSHB-së gëzon të drejtën e përzgjedhjes së trajnerit të ekipit përfaqësuese mendoj se koha në të cilën ai bëri këtë zgjedhje është e vonuar, ndërkohë qe jemi afro 5 muaj larg nga përballjet ndërkombëtare. Të shpresojmë që ky nënshkrim të tejkalojë vlerat e një premtimi elektoral dhe gjithashtu të besojmë që trajneri me programin e tij të gjejë mbështetjen e drejtuesve të FSHB-së
– Së fundi, keni qenë një kandidaturë për trajner të ekipit kombëtar të të rriturve, çfarë ndodhi?
– Faleminderit për informacionin. Do ta konsideroja si një vlerësim të madh për punën time, por në fakt nuk ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë. Të jeni i bindur për një diçka të tillë. Nëse do të më ishte komunikuar si propozim, qoftë dhe në një fraksion të vetëm, atëherë do ta vlerësoja si mundësi për të marrë një vendim.