Gjergj Vyshka 05.03.2015 18:45
Lojtari ka mbërritur dje në mbrëmje në Rinas, ndërsa sot do të jetë në stërvitje. Fuqizohen kampionët e basketbollit shqiptar, tashmë rriten pretendimet për sezonin. Brendon Hog është amerikani i premtuar për Vllazninë në basketboll për meshkuj, i cili ka mbërritur dje në mbrëmje në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit.
Kishte kohë që drejtuesit e Vllaznisë kishin premtuar mbërritjen e lojtarit amerikan, i cili është i datëlindjes 17 shtator 1989. Ai është i gjatë 1.90 metra, ndërsa luan në rolin e organizatorit. Ai ka luajtur në Gjermani me Shuelmin dhe Nërdlingen, ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Sent Ljuisin.
Hog nuk është amerikani i parë që mbërrin në kampionatin shqiptar, sepse një të tillë, rreth tre sezone më parë, ka pasur Shoqata Tiranës, Rumplekun, apo dhe Apolonia, Piterin. Dhe në fakt të gjithë kanë qenë lojtarë cilësor, ndërsa kështu besohet të ndodh dhe me Hog.
E vërteta është se Vllaznia pas largimit të të huajve ka kaluar një gjendje të vështirë, ndërsa ardhja e Hog, shto dhe kthimin e Gavraniç, duket se e kthen këtë skuadër sërish pretendente për titull. Madje Hog është dhe një dhuratë për trajnerin e Vllaznisë, Bledar Gjeçaj, i cili dje ka festuar 45-vjetorin e lindjes.
Tashmë amerikani pritet të dalë sot në stërvitje, sikurse të bëjë dhe deklaratat e tij të para për mediat si lojtar i Vllaznisë. Një gjë është e qartë që me ardhjen e Hog dhe cilësia e basketbollit rritet, ndërsa pritet që të jetë një Play-off i fortë mes Tiranës, Vllaznisë, Kamza Basket dhe Partizanit.
Sidoqoftë, Hog është tashmë amerikani i premtuar për Vllazninë në basketboll për meshkuj.