AlbanianSport.com 03/02/2019 15:10
ASNN – Federata Shqiptare e Basketbollit vijon të mbledhë fëmijët rreth basketbollit nëpërmjet një nisme shumë të veçantë, të quajtur “Bota e saj, rregullat e saj”. Ky ishte turi i dytë i kësaj veprimtarie që ka marrë “bekimin” e Federatës Botërore të Basketbollit (FIBA). Qëllimi është i qartë: Nisma duhet të shtrihet në çdo qark dhe të grumbullojë sa më shumë fëmijë që të njihen me basketbollin dhe të angazhohen në veprimtaritë basketbollistike.
Sic dihet, turi i parë u zhvillua në qytetin jugor të Përmetit, një qytet që e ka traditë basketbollin, kurse turi i dytë mbërriti të dielën në krtyeqytet, me një pjesëmarrje të madhe të fëmijëve nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani. Referuar të dhënave që servir vetë FSHB-ja, në këtë nismë morën pjesë mbi 250 fëmijë, të cilët u njohën me bukurinë e basketbollit si sport në një veprimtari të mbajtur në sallën sportive “Feti Borova” të Parkut Olimpik të Tiranës.
Nuk pati shpikje, por lojëra, demonstrime me topin si dhe shpërndarje topash për fëmijët. Aktiviteti u shndërrua në një mjedis të madh festiv, ku fëmijët mbetën të kënaqur dhe, natyrisht, këto veprimtaritë ndihmojnë që fëmijët të dashurohen me këtë sport magjik. Vetë FIBA ka shkruar dy fjalë për veprimtarinë, “kjo është ajo që duhet bërë, saktësisht”, gjë që dëshmon se FIBA i mbështet veprimtari të tilla për fëmijët dhe shtrirjen e basketbollit edhe tek moshat fare të vogla.