Gjergj Vyshka 29.09.2016 11:35
KB SIGAL Prishtina ka regjistruar tri fitore në një turne miqësore luajtur në Mal të Zi fundjavën e kaluar. Kështu ka raportuar në faqen e saj në internet Liga Ballkanike e Basketbollit për Meshkuj.
Kampionët në fuqi të kësaj veprimtarie janë përballur me dy skuadra, që sivjet do të marrin pjesë në Ligën Ballkanike, si dhe me një të Ulqinit. Në ndeshjen e parë SIGAL Prishtina mundi Sutjeskën e Nikshiqit 96-84.
Ndërsa në takimin e dytë kishte përballë Tiranën, të cilën të shtunën e pat mundur 90-62. Fitorja e tretë për SIGAL Prishtinës erdhi në ndeshjen kundër Ulqinit, e cila u fitua 82-74.
Të tre këto ndeshje e kanë paraqitur Sigal Prishtinën të plotë, ndërsa jo vetëm që do të jetë në Ligën Ballkanike, por dhe në Kupat e Evropës. Pa harruar pjesëmarrjen në kampionatin dhe Kupën e Kosovës.
SIGAL Prishtina është duke u përgatitur për fillimin e sezonit të Ligës së Ballkanit, që për ta do të nisë më 11 tetor 2016 në Prishtinë, me përballjen me bullgarët e Beroe Stara Zagorës.