Gjergj Vyshka 22.03.2016 12:15
Afrim Bilali është në të njëjtën kohë edhe ndihmëstrajneri i kombëtares së të rriturve të Shqipërisë, e cila nga data 31 gusht, deri më 17 shtator 2016, do të marrë pjesë në Eliminatoret e Kampionatit Evropian të Të Rriturve. Do të ketë përballë Gjeorgjinë, Sllovakinë dhe Malin e Zi. Sipas Bilalit, selektimi paraprak ka nisur me lojtarët që luajnë jashtë Shqipërisë, apo ato që mendohen të marrin pasaportën shqiptare si të huaj.
“Ndërkohë, – thotë Bilali, – unë jam duke mbledhur DVD-të e ndeshjeve të kampionatit, si dhe të gjitha të dhënat e lojtarëve të kampionatit, të cilat më pas do t’ia kaloj Konstantinidesit. E vërteta është se do të nisim në qershor periudhën e seleksionimit të lojtarëve të kampionatit, për të nisur më pas, më 1 gusht 2016, një përgatitje serioze për kualifikueset e Evropianit”.
Ndërkohë kanë nisur të mendojnë dhe për miqësoret, ndërsa turneu i Qipros, atje ku do të jetë Holanda, Greqia, Qipro dhe Estonia, duket se nuk do të jetë i vetmi. “Ne kemi caktuar një miqësore me Kosovën, – ka zbuluar më tej zëvendëstrajneri i Kombëtares shqiptare të koshit të meshkujve. – Jemi në tratativa me Bullgarinë, apo Ukrainën dhe presim përgjigje.”
“Dhe ndërkohë mund të na vijë Qipro për një ndeshje në Tiranë. Mbetet për t’u parë, sepse jemi në momentin që jo të gjitha kombëtaret i kanë caktuar miqësoret e tyre. E kemi nisur punën dhe shpejt do të jemi në parket për të mirën e kombëtares së të rriturve”, – ka përfunduar Afrim Bilali.