Gjergj Vyshka 20.08.2016 12:30
Humbje me 43 pikë diferencë, Shqipëria e basketbollit me defekte. Ndihmëstrajneri Bilali: “Është e vështirë të ndërrohet mendësia e lojës brenda një kohe kaq të shkurtër. Kemi çaluar në mbrojtje e që aty më pas kanë ardhur vazhdë dhe gabimet e tjera.” Për fat të keq, të paktën dhe sipas prononcimit që ka dhënë për “Sport Ekspres” ndihmëstrajneri Bilali, Shqipëria ka çaluar ku duket se është krijuar dhe pika e fortë me strategjinë e qipriotit Antonis Konstantinides, mbrojtja.
“Kemi mundësi për më shumë, – thotë Bilali, – të shikojmë sa mund të rritemi në dy ndeshjet në vazhdim, apo dhe në turneun tjetër në Estoni. Të ndërrosh mendësinë dhe lojën tonë është pak e vështirë dhe për më tepër brenda një kohe kaq të shkurtër kur nuk kemi më shumë se sa tre javë që jemi bashkë”. Dhe Bilali, që deri në Eliminatoret e fundit të Evropianit më 2012-ën ka qenë pjesë aktive e kombëtares si lojtar, hyn në detaje për atë ku u çalua.
“Loja në mbrojtje çaloi shumë dhe duke çaluar mbrojtja fillojnë dhe problemet me sulmin, – ka vijuar ish-basketbollisti. – Sa për statistikë nga 94 pikë që ka shënuar kundërshtari, 50 pikë ia kemi falur vetë. 40 pikë nga humbjet e topit në sulm dhe 10-15 pikë nga rikapjet e topit në tabelën tonë”. Janë shifra të frikshme për një kombëtare, e cila pretendon të bëjë një përfaqësim dinjitoz, ndërsa përballë do të ketë kundërshtar si Gjeorgjia dhe Mali i Zi me lojtarë që luajnë në kampionatin amerikan, apo dhe Sllovakia.
Rezultatet e pjesëve flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment, ndërsa Qipro e ka kthyer ndeshjen me ne si një seancë stërvitore, sepse duket se s’ka pasur asgjë për të parë e për të riparuar të metat e veta me ne.