AlbanianSport.com 09.05.2015 13:25
ASNN – Faqja zyrtare e Eurobasketit ka shpallur Dardan Berishën si basketbollistin e vitit në Ligën Ballkanike, ndërsa lojtari tjetër i SIGAL Prishtinës, Edin Bavçiç, është shpallur MVP i “4-shes finale”. Që të dy basketbollistët janë përzgjedhur edhe në formacionin më të mirë, krahas Aleksandër Kostoskit dhe Vukasin Mandiçit të Kumanovës, dhe Zharko Rakoçeviçit të Riilskit.
Ndërsa në ekipin e dytë janë përzgjedhur Xhordan Halls i SIGAL Prishtinës, Drilon Hajrizi i Pejës, Nikola Pavliçeviç i Sutjeskës, Travis Buro i Kraiovës dhe Toni Gugino i Riilskit. Vetëm pak ditë më parë, Komisioni Disiplinor pranë Federatës së Basketbollit të Kosovës i ka dhënë dënimin Dardan Berishës pas incidentit në sfidën gjysmëfinale të “play-off”-it të ETC Superligës së Kosovës në Basketboll për Meshkuj kundër Yllit.
Dardani e pështyu gjyqtarin e kësaj sfide, Xhelal Muminin, dhe, më pas, u përjashtua me gabim teknik. Për këtë arsye, FBK-ja e ndëshkoi Berishën duke e gjobitur me 200 euro, por dënimi i tij mund të shkonte edhe më keq. Siç patën shkuar ditë më parë mediat kosovare, një gjest i tillë i ulët i Dardanit, sipas neneve të FIBA-s, mund të çonte deri në 1 vjet pezullim nga basketbolli.
Kështu të paktën e parashikojnë rregulloret e FIBA-s, e cila e ka të përcaktuar nenin për një gjest të ngjashëm me atë që bëri Dardani kundër Muminit. Ky nen e dënon me jo më pak se një vit protagonistin e sulmit, në këtë rast Berishën, nëse kjo është hera e parë që ai e bën një gjë të tillë. Nëse ndodh për herë të dytë, FIBA rekomandon dënim prej 3 vjetësh, teksa nëse ndodh për herën e 3-të, FIBA rekomandon dënim prej 5 vjetësh.