AlbanianSport.com 12.01.2015 16:55
Fillimi i muajit mars pritet të sjell një lajm të mirë për Kosovën, përkatësisht për Federatën e Basketbollit të Kosovës. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), më 1 mars pritet të bëhet anëtare e barabartë dhe me të drejta të plota e organizmit që qeveris basketbollin botëror, FIBA-s. Kështu mendon kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Eroll Belegu. Në një intervistë për agjencinë “KosovaPress”, ai ka thënë se në muaji mars FBK pritet të pranohet në FIBA.
Sipas Belegut, FBK më 5 shkurt 2015 do të ketë një takim me FIBA-n, atje ku pritet të aplikohet për pranimin e saj në Federatën Botërore të sportit të koshit. Sipas Belegut, më 1 mars 2015 do të mbahet mbledhja e Bordit Qendror të FIBA-s, ku sipas tij pritet të miratohet edhe pranimi i basketbollit kombëtar në shtëpinë më të madhe të ndërkombëtarëve në sportin e koshit. “Më datën 5 shkurt kemi caktuar një takim me krerët e FIBA-s”, – ka pohuar ai.
“Prandaj jemi duke përgatitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, të cilin shpresoj se do ta bëjmë gjatë takimit ose pas takimit, – ka vijuar Belegu. – Më datën 1 mars është mbledhja Bordit qendror të FIBA-së dhe shpresoj fuqimisht se më datën 5 shkurt do të marrin sinjalin e gjelbër. Dhe pas aplikimit shpresoj se do të marrim përgjigje pozitive qysh më datën 1 mars 2015.” Kreu i basketbollit të Kosovës ka folur edhe për sfidat e mundshme të skuadrave kosovare në garat ndërkombëtare, pas pranimit të FBK-së në FIBA.
Ai thotë se për të parë potencialin e basketbollit të Kosovës, duhet që “të përballemi me ndeshjet ndërkombëtare”. Sipas tij, FBK ka nisur të punojë në këtë drejtim qysh në fundvitin e kaluar kur u mbajt seminari për të rinjtë me një trajner amerikan. I pari i basketbollit kosovar është i bindur se më 1 mars do të thyen barrierat ndërkombëtare. Belegu është i bindur se pas 1 mars, kampionia e Kosovës do të jetë pjesë e garave eliminatore evropiane, jo vetëm si kombëtare, por dhe si klube.
Dhe kjo do të jetë një rritje cilësore për basketbollin kosovar, i cili i ka dhënë sinjalet e tij pozitive që me pjesëmarrjen e skuadrave në Ligën Ballkanike, atje ku SIGAL Prishtina sezonin e kaluar zuri vendin e tretë. E sivjet pritet që ajo, por dhe Peja të ketë një tjetër nivel në këtë veprimtari. Shkurt, pas anëtarësimit me të drejta të plota në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, tashmë Kosova po nis gradualisht dhe anëtarësimin e saj në Federatat Ndërkombëtare.