Gjergj Vyshka 20.12.2015 16:15
Përfaqësuesi i “Galaktikëve”, Gerard Osmanaj, ka ngritur problemin e zhvillimit të turneve me emrat e atyre që bënë historinë e basketbollit shqiptar në mënyrë që këto të rinj ta dinë se kush janë themeluesit. Madje duke shfrytëzuar edhe fushat e hapura pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Jo vetëm kaq, por Afrim Bilali dhe Xhelal Kalaja kanë shtruar çështjen që duke pasur edhe dy trajnerë të huaj në krye të basketbollit shqiptar nevojitet që trajnerët shqiptar të jenë prezent në stërvitjet e tyre.
Por Federata Shqiptare e Basketbollit kur ka ardhur puna për certifikimin e trajnerëve ka deklaruar se janë dërguar ftesat për të marrë pjesë në klinikat ndërkombëtare, por askush nuk është interesuar.
Gjithashtu trajneri i Goga Basket, Astrit Greva, ka ngritur problemin që elementët e ekipit kombëtar duhet të mblidhen një herë në tre javë për të mos u mjaftuar vetëm me stërvitjen përpara ndeshjeve zyrtare.
Dhe në fund ka folur edhe Cici për gjyqtarët, ndërsa ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga gjyqtarët, si dhe më shumë vëmendje e mbështetje nga Federata, gjë që ka ardhur nga presidenti Ponari. Mbi të gjitha ka dalë në mbështetje të gjyqtarëve, ndërsa ka kërkuar prej tyre nxjerrjen jashtë të çdokujt që do të cënojë integritetin e “bilbilave”.