AlbanianSport.com 31.03.2016 08:50
ASNN – Avni Ponari është rizgjedhur si kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit në një mandat të tretë për presidentin e sapozgjedhur nga asambleja zgjedhore e ditës së djeshme. Këtë herë Korça ka qenë streha e kësaj asambleje, që për më tepër përkonte edhe me vitin jubilar të 70-vjetorit të kësaj Federate. Ashtu sikundër ishte lajmëruar Asambleja i nisi punimet në orën 10:00 të mëngjesit të djeshëm, ku njëri pas tjetrit, në Hotel “Koçibelli” në Korçë, u mblodhën të gjithë pjesëmarrësit e 31 shoqatave të basketbollit. Siç ishte njoftuar, 18 prej tyre u regjistruan vetëm dje për herë të parë.
Në fakt Komiteti drejtues, që në mbledhjen e 11 shkurtit ka qenë e përbërë nga presidenti Ponari, anëtarët Vaso Shaka, Bashkim Milo, Ilir Taflaj dhe Artan Terihati, pati vendosur paraprakisht që bazuar në statutin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, neni 5, pika 4, shoqatat anëtarë të FSHB-së, miratuar nga KD-ja e FSHB-së, në kohë të ndryshme janë lejuar të marrin pjesë në veprimtaritë e saj, do t’i nënshtroheshin procesit të votimit për miratim me të drejtë vote në seancën e parë të Asamblesë Zgjedhore të 30 marsit.
Më pas, do të vijonte procesi zgjedhor për kandidaturat për president dhe anëtarë të kryesisë për sezonin 2016-2020. Dhe kështu ka ndodhur. Pasi u bë prezantimi i gjithë procesit, se si do të zhvillohej, u lexua edhe një herë rregullorja e përgjithshme e zgjedhësve për 52 pjesëmarrësit nga 31 shoqatat e Basketbollit, që do të merrnin pjesë në votim dhe më pas gjithçka filloi normalisht. Saktësisht në këtë asamble ishin të pranishëm 52 pjesëmarrës, që kishin dalë nga 31 shoqatat e pranishme, teksa do të votonin në dy fletë votimi për të zgjedhur me anë të sistemit “një anëtar një votë”, presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, ku garonin përballë njëri-tjetrit, Avni Ponari dhe Arben Fagu.
Kjo ishte një prej fletëve të votimit, në fletën tjetër ishte lista e plotë e kandidatëve për anëtarët e Komitetit Drejtues. Fleta e dytë e votimit ajo e kandidatëve kishte plot 20 kandidatë dhe një votues duhet të zgjidhte jo më shumë se 6 prej tyre. Gjithçka me detaje u bë e ditur në pjesën e parë të punimeve të kësaj asambleje, ku më pas rreth orës 11:00 nisi edhe votimi fillimisht për kreun e Federatës dhe më pas për Komitetin Drejtues.
Pasi përfundoji i plotë procesi i votimit, komisioni i numërimit të votave në Asamble filloi menjëherë numërimin e votave, atje ku fillimisht u nis nga votimi për presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Pasi u numëruan të gjitha fletët e votimit nga 52 votuesit u shpall edhe fituesi, Avni Ponari që rifitoi kështu mandatin e tretë si President i FSHB-së, duke siguruar 35 vota, ndërsa Arben Fagu arriti të merrte vetëm 17 nga 52 votat e mundshme.
Në këtë pikë, komisioni shpalli Ponarin mes duartrokitjeve President të Federatës Shqiptarë të Basketbollit. Pas disa minutash pushimi procesi i numërimit rifilloi me votat e hedhura në kuti për Komitetin Drejtues, ku u shpallën në fund edhe 6 anëtarët e rinj të kryesisë. Në total tre orë asamble zgjedhore në juglindje të vendit, tre orë që nuk pati as edhe debatin më të vogël, ndoshta kësaj i ishte paraprirë më së miri dhe ishin marrë edhe masat e duhura.
Votimi për President të FSHB-së
Votues: 52 anëtarë
Agim Fagu 17 vota
Avni Ponari 35 vota