AlbanianSport.com 31.03.2016 16:10
ASNN – Kandidati tjetër bën të ditur që “në Shqipëri ndryshe flasin dhe ndryshe votojnë në kutinë e votimit”. Në fakt gjatë votimit dhe gjatë numërimit për president as kandidati tjetër Arben Fagu nuk ka qenë në sallë. Ndërkohë që qëndronte diku në një lokal më tutje se Ponari dhe sigurisht lajmin e humbësit edhe ai e mësoi nga miqtë e tij. Me dashamirësinë më të madhe, edhe pse ka qenë humbës, Arben Fagu dje ka dhënë këtë prononcim për mediat: “Në fakt, tani që sapo mësova që nuk u zgjodha, u çudita”.
“U çudita sepse komuniteti i basketbollit më donte dhe ishin ata që më afruan që të kandidoja për president, sepse deshën një organizim të ri, – ka vijuar ish-basketbollisti dhe ish-trajneri. – Por jetojmë në Shqipëri dhe këtu ndryshe flasin dhe ndryshe votojnë. Uroj të ketë ndryshime, por ju e keni parë vetë me sytë tuaj që në 10 vite nuk ka pasur asnjë ndryshim të vetëm. Nëse do të ecet me këto hapa kjo sigurisht që nuk është e mirë.”
“Problemet që ka në FSHB unë vazhdimisht i kam shprehur, ndërkohë që ju e patë edhe vetë që nuk isha në sallë. Nuk dua të bëj ankesa për mënyrën sesi u votua, sepse nuk isha në sallë. Ndërkohë që i uroj suksese Avni Ponarit për postin e presidentit dhe i them që t’i mbajë premtimet. Basketbolli për Arben Fagun është ëndrra e tij dhe nuk do të ndahem asnjëherë nga ky sport”, – ka thënë nga Korça humbësi për president të FSHB-së, Arben Fagu.