Gjergj Vyshka 05.03.2016 17:35
10 marsi është dita që do të zbardhë emrat e dërguar nga klubet për të parin e Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe për kryesinë e re, e cila do të votohet më 30 mars 2015. Sipas burimeve të pakonfirmuara, Arben Fagu, do të jetë një tjetër emër kandidat për president i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ndërsa zgjedhjet do të kryhen më 30 mars.
Ajo që thuhet të paktën në qarqet e basketbollit është fakti se Olsi Rama, përtej dëshirës së shumëkujt për ta vendosur në krye të Federatës Shqiptare të koshit, është tërhequr nga kjo ide, ndërsa mbështetja e tij shkon pikërisht për Fagun. Dhe pritet që në fillimin e javës një pjesë e mirë e klubeve anëtare të Federatës Shqiptare të Basketbollit të propozojnë kandidaturën e Arben Fagut.
Ish-basketbollist i Partizanit, më pas trajner i kombëtares së Shqipërisë, pa thënë këtu që kontributi i tij si trajner ka qenë tek Partizani, Dinamo, Studenti, Teuta dhe në fund edhe tek skuadra e Universitetit Amerikan të Tiranës. Një trajner me shumë bagazh, por që tashmë aftësitë e tija si ish-basketbollist i njohur mund dhe duhet t’i shfrytëzojë për të mirën e Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Megjithatë zyrtarisht Federata Shqiptare e Basketbollit do t’i zbardhi kandidaturat për president dhe anëtarë të kryesisë, të cilat do të vijnë nga klubet, më 10 mars. Ajo që thuhet është edhe se mund të ketë një tërheqje të Ponarit për të vazhduar nën drejtimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, tashmë për të këmbëngulur më fort për të qenë në krye të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar në zgjedhjet e ardhshme më 2017.
Dhe ajo që mbetet, por që pritet të zyrtarizohet nga kandidaturat e klubeve, është se ka shumë emra që po kërkojnë të marrin drejtimin e Federatës Shqiptare të Basketbollit. Njëri prej të cilëve dhe Arben Fagu.