Gjergj Vyshka 16.03.2016 13:25
Në radhë të parë të kandidatit për president i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Arben Fagu, ka qenë në qendër të vëmendjes kualifikimin e trajnerëve. “Licencimi, kualifikimi i trajnerëve nëpërmjet specialistëve të ndryshëm, apo dhe me trajnerë të vendeve fqinje janë objektivat tonë, – ka thënë ai në daljen e tij të parë publike në “Sport Magazin” të “Ora News”. – Madje, nga homologë të mi, kemi mësuar se në Federatën Botërore të Basketbollit do të diskutohet për projektet e kualifikimit të trajnerëve në Ballkan.”
“Dhe është turp që nuk është Shqipëria”, – ka shtuar Fagu, i cili ka patur vërejtje dhe për emërimin e trajnerit të huaj, i cili sipas tij nuk mund të bëjë asgjë për 15 ditë, sepse nuk e njeh basketbollin shqiptar. “Ne duhet të fillojmë të analizojmë pse jemi në këtë nivel, – ka vijuar ai. – Puna me brezat e fëmijëve dhe paratërinjve, apo filozofia që duhet të kemi për të arritur deri këtu. Sigurisht që është kompetencë e presidentit për të zgjedhur, por duhet të ndryshojë.”
“Kjo sepse duhet të jetë Komisioni Teknik dhe Këshilli i Trajnerëve ai që duhet të vendosë për trajnerin e kombëtares, – ka kujtuar ish-basketbollisti. – Më duhet të jap një shembull, Federata Shqiptare e Volejbollit në Itali e Greqi ka zbuluar se janë 1800 lojtarë shqiptarë që luajnë atje. Evidentimi i këtyre sportistëve duhet bërë me objektiva të qarta, pa thënë që duhet të shfrytëzojmë eksperiencat e Fatmir Cukës dhe Pirro Lekës për të ardhmen e trajningut duke i shfrytëzuar për kualifikimin e tyre.”