Gjergj Vyshka 23.12.2014 12:05
Pas trajnerit Greva, trofeu udhëton për në Fier tek i pari i pushtetit lokal. Zeqo: “Ju jeni krenaria e qytetit, do të keni vëmendjen time më të madhe, sikundër edhe ka ndodhur”. Apolonia, ashtu sikurse është bërë e ditur një javë më parë, është fituese për herë të katërt e Kupës së Shqipërisë në Basketboll për femra. Për rrjedhojë, fieraket të drejtuara nga ndihmëstrajneri Vladimir Xheka, pasi e kanë dërguar trofeun e tyre të mërkurën në mbrëmje tek shtëpia e teknikut Astrit Greva, një gjë të tillë e kanë bërë dje në Bashkinë e Fierit.
Për triumfin në Kupën e Shqipërisë, por dhe për kryesimin në kampionat, atje ku Apolonia duket se është një pretendente serioze për titull “kampion”, lojtaret janë pritur nga kryebashkiaku Baftjar Zeqo. I pari i pushtetit lokal në qytetit e Fierit njihet si dashamirës i madh i sportit në qytet, në mënyrë të veçantë të basketbollit dhe çiklizmit. Ndaj dhe dje, teksa ka pritur lojtaret, Zeqo ka premtuar dhe një herë mbështetjen e pakursyer për këtë sport. “Ju jeni krenaria e qytetit, do të keni vëmendjen time dhe mbështetjen që të bëni realitet pse jo titullin kampion”, ka thënë Zeqo.
Ndërsa kupa e fituar nga basketbollistet femra, kjo pë herë të katërt, tashmë do të qëndrojë në zyrën e kryebashkiakut. Skuadra e cila në gjirin e saj ka lojtare si Semanjaku, Xhanaj, Aliaj, Mehmeti, Ustalli, Deshnica, Baraj, Memçaj, Demiraj, Varfi, Memushi ka qenë e shoqëruar nga shefi i klubit shumësportësh të Apolonisë, Lili Gërmau. Tashmë sfida e radhës e Apolonisë do të jetë finalja e Superkupës së Shqipërisë ndaj Flamurtari. Deri më tani, fieraket janë dy herë fituese në sfidat me vlonjatet.
Dhe fitorja e Apolonisë në basketboll për femra i ka bërë të kënaqur të gjithë, jo vetëm kryebashkiakun Zeqo, por dhe tifozët.