AlbanianSport.com 07.09.2016 17:55
ASNN – Shënkolli do të mbetet sërish në Kategorinë e Parë. Kjo u arrit pas një bisede të gjatë të donatorit Artan Djala me kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj, të hënën pasdite. Bashkia mori përsipër financimin e kësaj skuadre për të përmbushur detyrimet ndaj federatës dhe ndaj të tjerëve, si dhe mbështetje për ndërtimin e skuadrës. Shënkolli është një skuadër që ka vetëm 3 vite që ka debutuar në Kategorinë e Dytë dhe në fund të sezonit që lamë pas shkruan historinë duke u ngjitur në Kategorinë e Parë.
Duke e ditur se Kategoria e Parë është shumë e fortë, ka një konkurrencë shumë më cilësore dhe ka kërkesa shumë të larta në të gjitha drejtimet, mbetja këtu për Shënkollin u trondit pasi donatori Artan Djala deklaroi se “nuk kemi financa që mund të përmbushin qoftë edhe minimalitetin e kërkesave”. Duke ju referuar kësaj, për të mos bërë që kjo skuadër të dështojë ende pa debutuar, Bashkia Lezhë vendosi që ta financojë këtë skuadër për të vijuar normalisht garën në Kategorinë e Parë.
Shënkolli është një skuadër që i përket një zone rurale me të njëjtin emër, që shtrihet në jug të Lezhës, por që ka një popullsi të konsiderueshme. Kjo trevë historikisht ka nxjerrë shumë futbollistë tepër cilësorë, ku vlen të përmendet Vasil Bici etj.