AlbanianSport.com 06.06.2015 18:55
Barcelona e ka gdhendur emrin e saj në trofeun e Ligës së Kampioneve 2 herë më shumë se Juventusi, pasi në dhjetëvjeçarin e fundit ka arritur të shpallet mbretëreshë kontinenti plot tre herë. Finalja e parë për Barcelonën daton në vitin 1961 përballë portugezëve të Benfikës, ndeshje e humbur nga katalanët me rezultatin 2-3. Një tjetër finale Barcelona e humbi në vitin 1986 përballë Steauasë së Bukureshtit në stadiumin e Seviljes.
6 vite më pas erdhi edhe finalja e duhur për Barcelonën që kaloi 1-0 në “Uembli” italianët e Sampdorias. Goli i Ronald Kuman shkroi historinë për skuadrën katalane, e cila 30 vjet pas finales së parë arriti të dilte fitimtare në këtë veprimtari. 2 vjet më pas, arena e stadiumit të Athinës u kthye në një skenë gati tragjike për djemtë e Johan Krujfit, të cilët u shkatërruan 4-0 nga Milani. Në tre finalet e radhës, Barcelona nxori në pah gjithë madhështinë e një klubi të madh.
Në 2006-ën, Eto dhe Beleti hipotekuan titullin e dytë të Ligës së Kampioneve për katalanët përballë Arsenalit. 3 vjet më vonë ishte radha e Mançester Junajtid për të marrë një leksion nga Barcelona që këtë herë kishin në armatën e vet Lionel Mesin. 2-0 dhe trofeu i tretë për Barcelonën. Në finalen e vitit 2011 Barça mundi 3-1 Mançester Junajtid.