AlbanianSport.com 20.12.2015 15:35
ASNN – Barcelona e mbyll vitin 2015 duke u shpallur kampione e botës për klubet. Ekipi katalan arriti një sukses të rëndësishëm, duke mundur 3-0 në finale River Plejtin dhe duke treguar se nuk njeh rivalë edhe në botë. Një triumf tjetër i skuadrës së trajnerit Luis Enrike që ngadhënjeu në Ligën e Kampioneve, në Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve.
Sfida e zhvilluar në Jokohama ishte një zotërim i Barcelonës, që nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e kundërshtarëve argjentinas, kampionë të Amerikës së Jugut. Autorët ishin Lionel Mesi dhe dy herë me anë të Luis Suarez. Ky është titulli i tretë botëror për Barçën pas tyre të fituar në 2009-ën dhe 2011-ën. Kështu, edhe titulli i fundit i vitit është i saj.
Barcelona fitoi Botërorin e Klubeve në mënyrën më spektakolare në stadiumin e Jokohamës në Japoni. Përballë kampiones së Amerikës së Jugut, River Plejtit, ia doli jo më pak se një fitore 3-0. Dihej se kush do të ishte favorite për trofeun, ende pa hyrë mirë skuadrat në stadium, veçse nuk parashikohej që për katalanët, fitorja të ishte kaq e thjeshtë.
Me një ekip të mbushur me yje, me Mesin dhe Nejmarin të rikthyer nga dëmtimet, kampionët e Evropës e kthyen sundimin e tyre, në dominim botëror. Pavarësisht nga rezistenca e argjentinasve, Barcelona kaloi në epërsi që në pjesën e parë. Ishte një argjentinas, kush tjetër përveç Lionel Mesit, që ndëshkoi bashkëkombësit e tij në minutën e 36-të.
Si shpesh herë, kombinimi fitues ishte me Nejmarin. Sërish fitues, ai është edhe më pranë Topit të Artë të FIFA-s. U desh goli I parë që evropianët të shpërthenin, edhe pse shënues ishte sërish një amerikanojugor. Këtë herë Luis Suarez, që përfundoi shkëlqyeshëm kombinimin Iniesta-Buskets. Treshja “MSN”, që merret vesh me sy mbyllur edhe pa top, shmangu kurthin e pozicionit jashtë loje.
Në formë të shkëlqyer, skuadra e trajnerit Luis Enrike nisi të jepte spektakël për gati 70,000 tifozët në stadium. Mesi dhe Nejmari humbën raste për shënim, përpara sesa të vinte edhe një herë radha e Suarezit. Uruguajani arriti të shpallej jo vetëm shënuesi më i mirë me 5 gola, por edhe lojtari më i mirë i turneut, dhe Barcelona, skuadra më korrekte.
Ky ishte titulli i pestë për vitin 2015 për një skuadër që duket se nuk ngopet kurrë me trofe, dhe që nuk bie kurrë nga maja. Më parë ishin fituar kampionatin spanjoll, Kupën e Mbretit në Spanjë, Liga e Kampioneve dhe Superkupën e Evropës. Disfata e vetme, ajo në Superkupën e Spanjës përballë Atletikos Bilbaos, nuk lejoi që të barazohej Barcelona e Pep Guardiolës e vitit 2009.