AlbanianSport.com 17.12.2015 22:55
ASNN – Barcelona është finalistja tjetër e Botërorit të Klubeve, pasi ka mundur në gjysmëfinale skuadrën e Guang Zhout, me rezultatin 3-0. Luis Suarez është autori i tre golave, të cilat e kualifikuan skuadrën katalane në finale. Kështu, Barcelona e ka fituar me shifrat 3-0 ndaj kinezëve të Guang Zhousë ndeshjen gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve.
Edhe pse me mungesa të rëndësishme, formacioni katalan ka arritur të triumfojë ndaj skuadrës aziatike, falë 3 golave të shënuar nga Luis Suarezi. Për Barcelonën ka munguar Lionel Mesi, pasi ishte konstatuar nga mjekët me gurë në veshka.
Për arsye dëmtimi ka munguar edhe braziliani Nejmar. Megjithatë, lider i skuadrës bëhet Suarezi, i cili arrin të shënojë në minutën e 39-të të pjesës së parë, duke e kaluar skuadrën e tij në epërsi. Përtej kësaj epërsie, edhe në pjesën e dytë, epërsia e spanjollëve është e dukshme.
Në minutën e 50-të, Suarezi shënon golin e dytë, ndërsa në 67-ën shënon golin e tretë për Barcelonën dhe të tretin personal. Ai ekzekuton me saktësi një 11-metërsh, duke e mposhtur për herë të tretë portierin e Guang Zhout. Të dielën Barcelona do të luajë në finale me skuadrën tjetër të kualifikuar, argjentinasit e River Plejtit.