AlbanianSport.com 18.02.2015 07:05
ASNN – Dy ndeshjet e para të vlefshme për turin e 16-shes së Ligës së Kampioneve, Paris SG-Çellsi dhe Shahtjor i Donjeckut-Bajern i Mynihut, të luajtur të martën në mbrëmje janë mbyllur në barazim. Bavarezët nuk kanë mundur të shënojnë në portën e Shahtjorit, në takimin e zhvilluar në Lviv për shkak të konfliktit në Ukrainë, ndërsa në Paris, golit të shënuar nga Ivanoviçi i është përgjigjur Kavani, duke barazuar gjithçka në 1-1.
Kështu, çdo gjë duket se do të përcaktohet në ndeshjet e kthimit përsa u përket skuadrave që do të kualifikohen për më tej në çiftet Paris SG-Çellsi dhe Shahtjor i Donjeckut-Bajern i Mynihut. Në Paris duket se më i fituar kanë dalë londinezët e drejtuar nga trajneri Zhoze Murinjo, që ka barazuar 1-1. Edhe pse ka luajtur më mirë, skuadra pariziene nuk ka qenë e saktë në finalizim, por edhe ka patur kundër edhe pritjet heroike të gardianit belg të portës angleze, Kurtua.
Ndërsa Çellsi zhvilloi lojën e vet, me një mbrojtje të ngjeshur dhe arriti të shënojë me anë të Ivanoviçit në pjesën e parë. Paris SG-ja u kundërpërgjigj në të dytën me uruguaianin Kavani, duke barazuar gjithçka. Tashmë skuadra që kualifikohet më tej vendoset më 11 mars në “Stemford Bridxh”. Në Lviv, Bajerni nuk ka mundur të shënojë në portën e Shahtjorit duke e mbyllur takimin në barazim pa gola 0-0. Bavarezët ranë viktima të skemave dhe lojës së ashpër të Shahtjorit, nga të cilat u ndëshkuan 5 lojtarë me karton të verdhë dhe Ksabi Alonso me karton të kuq.
Sot në mbrëmje luajnë takimet e para dy çiftet e tjera të dy çifteve të tjera të turit të 16-shes, Bazel-Porto dhe Shalke 04-Real Madrid.