AlbanianSport.com 02/08/2018 11:35
ASNN – Një tjetër impiant i ri për futbollin dhe sportin shqiptar, një kompleks sportiv i është shtuar qytetit të Ballshit. Me pranin[ e kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, Drejtorit të Programit të Zhvillimit të USAID-it, Denis Uesner, dhe drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit u përuruar ditët e fundit në Ballsh ky kompleks sportiv.
Investimi financiar nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit shkon në vlerën e 85 mijë eurove dhe konsiston në shtrimin me bar artificial të fushës së futbollit në Ballsh. Gjithashtu për ngritjen e tij kanë dhënë kontributin e tyre edhe Bashkia Mallakastër së bashku me USAID. Investimi përfshin shtrimin me bar artificial të një sipërfaqeje prej 5,300 m2 fushë futbolli dhe një sipërfaqe shtesë prej 200 m2.
Ky investim ka mbajtur në vëmendje gjatë punimeve për ngritjen e tij standardet e cilësisë së FIFA-s. Pjesë e investimit është edhe pajisja e këtij kompleksi sportiv me 3 porta futbolli dhe të gjithë aksesorëve përkatës për secilën. Pas inaugurimit është zhvilluar edhe një lojë mes dy skuadrash të moshave në Ballsh. Ky investim përfshin me një kënd lojërash dhe argëtimi për fëmijët.