Adriatik Balla 13.06.2015 09:00
Më shumë se 6 mijë sportistë në 20 disiplina sportive do të provojnë të ngjiten drejt majës së Evropës, në Lojërat e Para Evropiane që zhvillohen nga data 12 qershor, deri më 20 qershor 2015 në Baku të Azerbajxhanit, me Shqipërinë dhe Kosovën që gjithashtu kanë pretendimet e tyre për medalje duke synuar të ngjiten në podium në garën kontinentale.
Organizatorët, të cilët kanë ndërtuar më shumë se 22 arena sportive për të mirëpritur eventin por dhe një fshat të tërë për akomodimin e atletëve. Azerbajxhani i ka kushtuar një vëmendje të veçantë marketingut, aq sa dhe promovimi i logos së “Baku 2015” u bë i mundur nga klubi i Atletikos së Madridit, që ishte i pari që zbuloi për mediat simbolin e këtyre lojërave të para evropiane.
Logo në vetvete është një ndërthurje mes ngjyrave të flamurit të Azerbajxhanit, flakës olimpike, shegës, si një fryt i shumëfishimit të begatisë dhe Simurgut, një shpend simbol i këtij vendi. Në total në këto lojëra pritet të angazhohen 12.500 vullnetarë, ndërkohë që ceremonia e hapjes ju besua koreografit Dimitris Papaionou që organizoi gjithashtu dhe ceremoninë hapëse të Athinë 2004.