AlbanianSport.com 05/08/2018 22:30
ASNN – Në atë që ishte ndeshja e fundit përgatitore në prag të nisjessë sezonit të ri, Bajerni i Mynihut ka mundur Mançester Junajtid me një gol të vetëm, me autor Havi Martinezin. Sikundër çdo ndeshje e madhe, edhe kjo miqësore luksi u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar. Teksa i afrohemi nisjes së sezonit të ri futbollistik, klubet e mëdha anembanë kontinentit po u japin dorën e fundit përgatitjeve dhe mbrëmja e së dielës ka ofruar një miqësore luksi midis dy gjigandeve të futbollit evropian dhe atij Botëror.
Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtid janë përballur me njëra-tjetrën në Stadiumin “Allianz Arena”, në atë që ishtë në fakt ndeshja e fundit përgatitore për të dyja skuadrat. Të dy gjigandet e futbollit kontinental erdhën në këtë sfidë pasi morën pjesë në një turne miqësor veror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjermanët fituan njërën dhe i humbën dy takimet e tjera. Ndërsa anglezët morën një fitore dhe një barazim, por pësuan edhe një humbje në këtë turne amerikan.
Pjesa e parë e sfidës është mbyllur me rrjeta të paprekura, me bavarezët më dominues, si në lojë, ashtu edhe në raste, përballë anglezëve të vakët. Edhe pjesa e dytë do të nisë më mirë për Bajernin, që në minutën e 59-të, do të kalojë në epërsi me anë të Havi Martinezit. Edhe gjysmëora e mbetur e lojës ka folur për gjermanët, të cilët do të vazhdojnë ta rrezikojnë seriozisht portën e Mançester Junajtid, duke gjetur madje me anë të Arjen Robenit, edhe një gol të dytë.
Një gol që anullohet, në mënyrë të diskutueshme, nga gjyqtari për një pozicion jashtëloje. Mbyllet kështu me fitoren minimale të Bajernit të Mynihut kjo miqësore luksi ndaj Mançester Junajtid, që tanimë janë gati për sezonin e ri të futbollit, përkatësisht në Gjermani dhe në Angli.