AlbanianSport.com 03.11.2014 18:55
ASNN -Vendimit i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për ta njohur përkohësisht Komitetin Olimpik të Kosovës nuk është një vendim i paprecedent, por thjesht një zbatim i Kartës Olimpike.” Kështu ka deklaruar të martën presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, gjatë një interviste me një gazetare sportive serbe. “Komiteti Olimpik Serb mund të mos jetë i kënaqur me vendimin, por si anëtar i familjes olimpike, e respekton këtë vendim”, – ka theksuar kreu i familjes olimpike botërore.
“Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) thjesht ka zbatuar Kartën Olimpike në rastin e Kosovës dhe Komiteti Olimpik Serb mund të mos jetë i kënaqur me vendimin, por si anëtar i familjes olimpike, e respekton këtë vendim.” Kështu ka deklaruar të martën presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Tomas Bah, gjatë një interviste të shkurtër me një gazetare sportive serbe.
I pyetur në Lozanë të Zvicrës nga gazetarja serbe, Sonja Nikçeviç, përsa i përket vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për ta njohur përkohësisht Komitetin Olimpik të Kosovës,Bahu nuk e ka cilësuar atë një vendim të paprecedent. I pyetur në vijim përsa i përket disa reagimeve negative, si për shembull nga Komiteti Olimpik Serb, ai rus apo të tjerë, kreu i IOC-së ka theksuar se ky është një vendim i pranuar nga e gjithë familja olimpike.
Ja intervista e tij dhënë “AIPS Medias”:
– Përsa i përket vendimit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për ta njohur përkohësisht Komitetin Olimpik të Kosovës, duhet theksuar se Kosova nuk njihet nga një numrë vendesh dhe organizmash, të tillë si OKB-ja apo edhe Serbia. A e konsideroni këtë një vendim të paprecedent?
– Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) thjesht ka zbatuar Kartën Olimpike. Ajo shprehet qartësisht se një shtet duhet të jetë i njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Kosova është njohur nga 108 qeveri dhe vende të botës, dhe besoj se ky fakt flet vetë. Prandaj them që IOC-ja ka zbatuar Kartën Olimpike dhe kjo mund të vërehet në faktin se reagimet e deritanishme kanë variuar nga pozitiviteti tek neutraliteti.
– Po përsa i përket disa reagimeve negative, si për shembull nga Komiteti Olimpik Serb, ai rus apo të tjerë?
– Unë nuk kam dëgjuar për ndonjë reagim nga Rusia. Ne kemi parë një deklaratë nga Komiteti Olimpik Serb, por ne jemi në kontakt me ta. Komiteti Olimpik Serb mund të mos jetë i kënaqur me vendimin, por si anëtar i familjes olimpike, e respekton këtë vendim.