AlbanianSport.com 08/01/2024 19:05
ASNN – Babai i futbollistit shqiptar të Çezenës, Kristianit, reagon pas incidentit të shëmtuar. Aleks (Liman) Shpendi, babai i dy futbollistëve premtues, Kristianit dhe Stivenit, ka kërkuar publikisht ndjesë për episodin e shëmtuar të dielën në ndeshjen e Çezenës. “U kërkoj falje të gjithë njerëzve për këtë gjest që është vërtet i shëmtuar, – ka thënë ai, duke vijuar: “Duke parë djalin tim të gjakosur në tokë dhe tjetrin duke e goditur nga pas, si baba, më bëri të dal nga vetja.”
Të dielën, në stadiumin “Dino Manuci” të Çezenës, gjatë ndeshjes së skuadrës vendase kundër Olbiaa, të vlefshme për Serinë C të kampionatit italian të futbollit, ndodhi një episod i jashtëzakonshëm. Në fund të ndeshjes, babai i sulmuesit shqiptar, Kristian Shpendit, ka kapërcyer perimetrin rrethues të tribunës dhe ka hyrë në fushën për të goditur me grusht portierin e skuadrës kundërshtare. Arsyeja ishte një ndërhyrje tepër e ashpër gardianit të portës mike ndaj të birit.
Ndërsa pozicioni i babait të Shpendit është duke u ekzaminuar nga policia, ishte Çezena që reagoi e para për incidentin, që sigurisht rëndon mbi klubi vendas si organizator i ndeshjes. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, klubi ka dënuar me vendosmëri sjelljen e familjarit të anëtarit të saj, duke u shkëputur nga çdo formë dhune dhe çdo sjellje josportive. “Çezena do të bashkëpunojë me autoritetet kompetente për rikonstruksionin e ngjarjes dhe identifikimin e personit që ishte protagonist i episodit”, – thotë ndër të tjera deklarata e klubit.
Ndërkaq, Aleks Shpendi, babai i dy futbollistëve premtues, Kristianit dhe Stivenit, ka kërkuar publikisht ndjesë për episodin e shëmtuar. “U kërkoj falje të gjithë njerëzve dhe gjithë Italisë për këtë gjest që është vërtet i shëmtuar, – ka thënë ai, duke vijuar: “ I kërkoj falje klubit, i zhgënjeva dhe më vjen shumë keq. Duke parë djalin tim të gjakosur në tokë dhe tjetrin duke e goditur nga pas, si baba, më bëri të dal nga vetja”, – ka përfunduar Aleks Shpendi.