AlbanianSport.com 17.11.2016 11:35
ASNN – Që do të kishte një dyzim në këtë mes dhe njëfarë “lufte të ftohtë” ndërshqiptare, kjo dihej vite përpara se Kosova të bëhej anëtare e UEFA-s dhe e FIFAS-s. Por tanimë gjithçka po na përvijohet edhe konkretisht dhe Donis Avdijaj është futbollisti i fundit që pretendon se Kombëtarja e Shqipërisë e ka injoruar.
Por, nga injorimi i Shqipërisë, ka përfituar padyshim Kosova. 20-vjeçari Avdijaj iu bashkua Kosovës një ditë para ndeshjes që e zhvilloi në Antalia, më 12 nëntor 2016, kundër Turqisë, në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Botëror “Rusi 2018”. Por, deri të martën mbrëma, ai nuk dha asnjë shpjegim pse zgjodhi të luajë për Kosovën.
Ndonëse në vazhdimësi kishte përsëritur dëshirën të vishej kuqezi. Sulmuesi i skuadrës gjermane, Shalke 04, në një letër publike tha se me gjithë dëshirën e tij të luante për Shqipërinë, kjo e fundit nuk e përfilli fare. E edhe më keq u ndodhi talenteve si Milot Rashica, Amir Rrahmani, Herolind Shala e disa të tjerëve.
Ata ishin pjesë e kombëtares, por nuk u përfshinë në listën finale për Evropianin “Francë 2016” dhe, më pas, vendosën të luajnë për Kosovën. Sot, këta lojtarë janë shtyllë e përfaqësueses së Kosovës, që po mundohet të ndërtojë identitetin e saj në arenën futbollistike ndërkombëtare.