Adriatik Balla 29.05.2015 18:45
Merkato gëlon ende pa nisur zyrtarisht në Evropë, sidomos për lojtarët shqiptarë. E ardhmja e Donis Avdijajt mund të jetë në skuadra e Bundesligës së 2-të, tek Fortuna e Dyseldorfit. Është revista gjermane “Sport Bild” ajo që e bëri të ditur lajmin në lidhje me sulmuesin 19-vjeçar të huazuar nga Shalke 04-ra tek Shturmi i Grazit.
“Shalke 04-ra duhet të vendosë brenda së premtes në lidhje me Donis Avdijaj’, – shkruante portali “Fussballtransfers.com”. Sipas “Sport Bild”, Avdijaj pritet të huazohet te Fortuna e Dyseldorfit. Talenti i jashtëzakonshëm i shqiptarit ra në sy në shkurt të vitit 2014.
Që atëherë, “Die Königsblauen” (Mbretërit blu) vendosën në kontratën e re të Avdijajt një klauzolë zgjidhjeje me kusht në një shumë prej 50 milionë euro. Aktualisht, Donis Avdijaj është i huazuar te Shturmi i Grazit në kampionatin austriak, ku ka realizuar gjashtë gola në 16 ndeshje.
Po ashtu, ai ka dhënë edhe pasimet e fundit për 3 gola të tjerë, të realizuar nga shokët e tij të skuadrës. Sipas “Sport Bild”, nëse Shalke 04-ra nuk do të vendosë për rikthimin e Avdijajt deri të premten në darkë, atëherë sulmuesi kandidat për Kombëtaren shqiptare, do të qëndrojë edhe një sezon tjetër në Graz.