AlbanianSport.com 26.03.2016 19:50
ASNN – Shqipëria mbetet ende në kërkim të një fitoreje ndaj Austrisë, pasi edhe takimi i zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Vjenë, që ishte e para miqësore në 7 përballjet e deritanishme, është mbyllur me fitoren 2-1 të vendasve. Dy gola brenda 13 minutave të para u kanë mjaftuar austriakëve për të marrë fitoren dhe për të bërë të pavlefshëm golin e vetëm të realizuar për kuqezinjtë nga Lenjani. Austria vazhdon të mbetet një “mollë e ndaluar” për Kombëtaren shqiptare të futbollit, e cila nuk ka arritur të gjejë ende një rezultat pozitiv edhe pas 7 përballjesh me këtë përfaqësuese.
Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës dhe që ishte në fakt miqësorja e parë pas 6 përballjesh nëpër Eliminatore Botëroresh dhe Evropianesh, dhe njëkohësisht e para midis këtyre dy përfaqësueseve në këto 19 vitet e fundit, Shqipëria është mundur me rezultatin 1-2, në një përballje që pati dy fytyra. Në pjesën e parë, janë vendasit që e nisin më mirë, duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës së portës së mbrojtur nga Etrit Berisha, fillimisht me Marko Jankon, i cili finalizon me zgjuarsi një aksion të austriakëve në minutën e 6-të.
E më pas, në minutën e 13-të, Austria shënon me anë të Harnikut, i cili përfiton nga gabimi i mbrojtjes kuqezi. Shqipëria kujtohet të rrezikojë vetëm në minutën e 21-të, me atë të Balajt, por kaq është shumë pak, pasi pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë dygolëshe të vendasve. Pjesa e dytë do të nisë shumë mirë për skuadrën e De Biazit, pasi Lenjani do të shkurtojë largësinë e golave, me një goditje të fuqishme në minutën e 47-të. Por dalja me karton të kuq e Kaçes 12 minuta para fundit, e dëmton Kombëtaren kuqezi, e cila në fund i falet edhe portierit Berisha për të mos pësuar golin e tretë.
Përfundimisht, Austria mund Shqipërinë 2-1 dhe miqësorja e radhës për kuqezinjtë është ajo e 29 marsit me Luksemburgun.