AlbanianSport.com 16/04/2020 22:45
ASNN – Një përqafim që kushton mbi 1,000 stërlina angleze. Kështu ka ndodhur me një sportist të hipizmit dhe ndihmësin e tij në Australi. Kalorësi Tom Markuond u gjobit me 2,000 dollarë australianë, diçka më tepër sesa 1,000 stërlina angleze, sepse theu rregullat e protokollit për koronavirusin në Australi, kur përqafoi kujdestarin e kalit të tij pas një fitoreje të arritur në një garë në fundjavë.
Markoundi po festonte fitoren e tij me kalin “Uilliam Hagas”, kur përqafoi ndihmësin e tij, Safid Alam, i cili gjithashtu u gjobit me 500 dollarë australianë, rreth 250 stërlina angleze. Madje zyrtarët e garës u detyruan të mblidheshin pas këtij incidenti, për të vendosur nëse kalorësi në fjalë do të lejohej të vazhdonte të merrte pjesë edhe në gara të tjera.
Epidemia e koronavirusit, e cila ka mbërritur relativisht vonë në shtetin kontinent, ka bërë që të gjitha sportet të fusin në përdorim rregullore të rrepta për të mbrojtur sportistët nga kjo sëmundje. Si kalorësi australian, ashtu edhe ndihmësi i tij e pranuan shkeljen e kësaj rregulloreje të re të hipizmit, duke pranuar edhe ndëshkimin me gjobë, teksa Markuondi mbante pjesën më të madhe të fajit.
Kjo sepse ishte ai që e kishte nisur përqafimin dhe, për rrjedhojë, ishte ai që u gjobit më tepër, me katërfishin e shumës që u gjobit kujdestari i kalit të tij. Ndërkohë, në takimin që zyrtarët e garës mbajtën për këtë incident, u kërkua këshillimi mjekësor dhe, vetëm pasi u konfirmua se si Alami, ashtu edhe Markuondi nuk kishin shfaqur simptoma të “Covid-19”, kalorësi u lejua të vazhdonte konkurrimin nëpër garat e tjera të programit.