AlbanianSport.com 28.05.2016 17:05
ASNN – Dy skuadrat madrilene, Reali dhe Atletiko, do të sfidojnë njëra-tjetrën për të fituar trofeun e Ligës së Kampioneve. Dy shkolla të ndryshme futbolli, dy trajnerë, Zinedin Zidan dhe Diego Simeone do të shpalosin në “San Siro”, strategjitë e tyre për të marrë kurorën evropiane.
Atletiko e Madridit-Reali i Madrid është finalja e madhe e Ligës së Kampioneve. Sot në mbrëmje, në orën 20.45, Stadiumi “San Siro” në Milano do të jetë arena që do të presë spektaklin e derbit madrilen. Dy skuadrat kanë mbërritur që dje në Milano dhe kanë zhvilluar edhe seancat stërvitore.
Gjithashtu edhe tifozët kanë mbërritur një ditë më parë në Milano duke shijuar jo vetëm luksin e qytetit verior të Italisë por edhe stërvitjen e idhujve të tyre. Sulmi i frikshëm i Realit përballë mbrojtjes së rreptë të Atletikos, taktikat e Zidan përballë atyre të Simeones.
Një skuadër e mbushur me yje por që shpeshherë u mungon kolektiviteti përballë një “klase punëtorësh” që janë gati të sakrifikohen për të mirën e grupit. Është kjo panorama e dy formacioneve që do të përballen në “San Siro”. Reali kërkon titullin e 11-të të kampiones së Evropës, ndërsa Atletiko të parin në histori.
Skuadra e Simeones kërkon hakmarrjen për të atë finale të humbur në shtesë dy vite më parë. Por gjithçka do të vendoset sot në mbrëmje në “San Siro”.