Gjergj Vyshka 06.03.2017 08:50
Shqiptarët në atdhe dhe anembanë botës, por në mënyrë të veçantë ata të Kosovës, janë ndjerë të gjithë krenar me Izmir Smajlajn. Jo vetëm për medaljen e tij të artë në kërcimin së gjati në Kampionatin Evropian të sallave të mbyllura në Beograd, por dhe për shqiponjën që ai bëri në momentin e daljes në vendin e parë, që fatkeqësisht serbët e kanë quajtur provokim.
Por mbi të gjitha nuk kanë munguar përshëndetjet anembanë vendit për Izmir Smajlajn, shkodrani që veçanërisht bëri krenar qytetin e tij, i cili kështu shtoi dy “kampionë” të Evropçs (së bashku me të dhe Erkand Qerimajn), si dhe një “kampion” të botës, si Elis Guri. Por në tërësi nuk kanë munguar dhe përshëndetjet e politikanëve për të, duke përfituar natyrisht nga momenti.
“Sporti shqiptar arriti një tjetër rezultat fantastik në arenën ndërkombëtare, – ka shkruar në një status të tijin në rrjetin social “Facebook”, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. – Atleti shkodran Izmir Smajlaj mori medaljen e artë në kërcim së gjati në Kampionatin Evropian duke vendosur edhe rekord kombëtar (kërceu 8.08 metra), një rezultat që bën krenar të gjithë, Izmirin të parin për këtë triumf.”
“Një shembull që duhet të ndiqet, pasi ai mbetet një sportist që premton shumë edhe për të ardhmen”, – ka shtuar ai. Ndërkohë, Izmir Smajlaj është përshëndetur edhe nga Xhovani De Biazi. Trajneri i kombëtares së Shqipërisë në futboll nuk ka munguar të urojë kampionin më të ri të Evropës në atletikë, Izmir Smajlajn. E kjo për triumfin historik arritur prej tij në Beograd të shtunën.
Dhe mesazhi i De Biazit është ky: “Izmir të përshëndes! Jam shumë i lumtur për suksesin tënd të jashtëzakonshëm të arritur në Beograd. Përqafime. FORCA SHQIPËRIA!”.