Gjergj Vyshka 06.09.2017 11:10
Iveta Urshini dhe Malvin Nikolla, të dy të disiplinës së atletikës, kanë qenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Universiadën Botërore Verore, e cila është zhvilluar në Taipei të Tajvanit, nga data 19, deri më 30 gusht. Të dy sportistët, sipas informacionit që ka shpërndarë Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, kanë qenë të shoqëruar nga presidenti i Shoqatës Shqiptare të Sportit Universitar, Besnik Veliu.
Urshini ka konkurruar në 100 metra, ndërsa ka dhënë kohën 12”89, e cila krahasuar me Kampionatin Ballkanik të Novi Pazarit, atje ku sportistja korçare pati fiksuar rezultatin 12”83, është jo e mirë. E megjithatë me përmirësim rezultati ka ardhur Malvin Nikolla, i cili në 800 metra ka dhënë kohën 1’54”36. Ndërkohë, në këtë veprimtari kanë marrë pjesë 11 mijë sportistë, të cilët kanë përfaqësuar 134 delegacione nga e gjithë bota.
Është konkurruar në 22 disiplina sportive, ndërsa janë thyer dhe dy rekorde të reja botërore. I pari është në peshëngritje për femra, atje ku sportistja nga Tajvani përmirësoi rezultatin në peshën 58 kilogram. Kurse rekordi i dytë ka ardhur nga Koreja e Jugut në disiplinën e harkut. Përveç kësaj janë përmirësuar dhe 36 rekorde të universiadës. Edicioni i ardhshëm do të jetë pas dy vjetësh në Napoli.