Gjergj Vyshka 07.03.2017 10:40
Të gjithë krenarë për medaljen e artë dhe titullin “kampion i Evropës” të Izmir Smajlajt. Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit, Vladimir Gjonaj: Të krijojmë kushte stërvitore”.
Ndërkohë, trajneri i Izmir Smajlajt, Vildan Tufi, ka zbuluar një detaj interesant, se në kërcimin e 6-të shkodrani i artë i Evropianit të sallave të mbyllura ka pasur një dëmtim në artikulacion.
“Në kërcimin e fundit, – thotë Tufi, – kundërshtari i tij, suedezi Tolheus ishte përpara me 8.08 metra. Dhe Izmiri kishte një dhembje në artikulacionin e këmbës së majtë. Por i kam thënë vetëm se burrat e tregojnë veten në fund. Dhe ia arriti”.
Emocione të mëdha kanë pasur dhe prindërit e Izmir Smajlajt, që kanë qenë bashkë me të në Beograd në Kampionatin Evropian të Atletikës në Salla të Mbyllura. “Ishte krenari patjetër dhe emocion i madh”, – ka thënë mamaja e Izmir Smajlajt.
Kurse i ati i atletit shkodran, Muhameti do të thonte: “Sigurisht që jemi krenarë për këtë djalë që kemi rritur. Por është më tepër krenari për të gjithë shqiptarët kjo medalje e artë e tij.”