ASNN – Qytetarja e parë e Shkodrës, Voltana Ademi, ka përgëzuar atletin kampion Izmir Smajlaj dhe trajnerin e tij Vildan Tufi. Një falënderim i posaçëm ka shkuar edhe për babain e kampionit të Evropës, Muhamet Smajlaj, një ish sportist i njohur i Vllaznisë në volejboll. Është ai që deri tanimë ka bërë dhe mbështetjen financiare për të birin.
Ndërsa për trajnerin personal të Smajlajt, Vildan Tufi, në Beograd pikat mbi “i” janë vënë në momentin e duhur. “Mund të them se gjatë garës së fundit, para kërcimit të 6-të, Izmiri me rezultatin e arritur ishte në vendin e tretë, – ka rrëfyer ai. – Ishim të gëzuar për këtë rezultat, sepse ishte edhe rekord kombëtar.”
“Por duke komunikuar nga afër me të, i thashë se tashmë është koha për të treguar veten, – ka vijuar trajneri i talentit shkodran të atletikës. – Sportistët cilësor në këto momente e tregojnë veten, në kërcimin e fundit japin maksimumin. Dhe, në të vërtetë ashtu ndodhi.”
“Rezultati i arritur është shpërblim i punës dhe lodhjes së vazhdueshme për të mbërritur deri këtu. Për vitet që kam në atletike, suksesi me Izmirin ishte “qershia mbi tortë”, tha Vildan Tufi, që ka përgatitur edhe atletë të tjetër “kampionë”, si Vera Bregu dhe ish-rekordmeni, Admir Bregu.