AlbanianSport.com 24/01/2024 17:45
ASNN – Atletika shqiptare, gati për sezonin e ri. Presidenti i Federatës, Stërmasi, zbulon synimet dhe pritshmëritë. Kështu, mbretëresha shqiptare e sporteve bëhet gati për nisjen e sezonit të ri, teksa më 26 janar do të mbahet në Elbasan Kampionati Kombëtar Individual Dimëror. Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës (FSHA), Taulant Stërmasi, ka shpalosur edhe synimet dhe pritshmëritë për 2024-ën.
“Ka qenë një periudhë 4-javore që, si zakonisht, Luiza Gega zhvilloi në Kenia, temperaturat kanë qenë optimale, stërvitja ka shkuar shumë mirë, ajo ka vazhduar të përshkojë 150-160 km në javë, – ka rrëfyer ai, teksa sapo është kthyer nga kontinenti afrikan me sportisten e spikatur kuqezi. – Është periudhë volumesh, ku synimi kryesor janë Lojërat Olimpike të Parisit dhe Kampionati Evropian, që janë veprimtari që zhvillohen në qershor dhe në fillim të gushtit.”
“Kështu që deri tanimë jam i kënaqur me formën sportive të atletes sonë dhe tani jemi në sulm për objektivat që ajo ka”, – ka shtuar kreu i organizmit që qeveris atletikën shqiptar, që vështrimin e ka hedhur tek nisja e sezonit të garave. “Veprimtaria e parë që ka atletika do të jetë më 26 janar, Kampionati Kombëtar Individual Dimëror, që zhvillohet në Elbasan, nga ora 11:00 deri në ora 14:00, – ka thënë Stërmasi. – Meqë temperaturat janë të ulëta këto ditë jemi munduar të gjejmë kohën më të përshtatshme dhe optimale për sportistët tanë që të garojnë.”
“Do të kemi 3 nga sportistët tanë më të mirë që do të garojnë, që është Luiza Gega, e cila do të garojë në disiplinën e 3,000 m dhe besoj se do të tentojë të thyejë rekordin kombëtar, meqenëse e ka si garë testuese, – ka vijuar Presidenti i FSHA-së. – Do të vrapojë Franko Burraj në disiplinën e vet të preferuar të 400 m dhe, pas dy vitesh, rikthehet Izmir Smajlaj, që do të garojë në disiplinën e 60 m, të cilën do ta ketë si garë testuese, që të jetë gati për kërcimin së gjati, për të cilin shpresoj të jetë gati nga marsi apo fillimi i prillit.”