Gjergj Vyshka 09.09.2016 07:55
Atletika është federata e dytë sportive, e cila do t’i nënshtrohet procesit zgjedhor. E ka bërë basketbolli më 30 mars në Korçë, kurse Federata Shqiptare e Atletikës ka zgjedhur mjediset e Stadiumit “Elbasan Arenës”, sot në ora 10:00, edhe sepse për momentin aty është pista kryesore e të gjitha veprimtarive kombëtare dhe ndërkombëtare, për të votuar për forumet e saj të reja.
Është fjala për zgjedhjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, teksa pritet rikonfirmimi i presidentit aktual Gjergji Ruli, si dhe të kryesisë. Ndërkohë që pjesë e kësaj asambleje pritet të jetë dhe kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, për të bërë përshëndetjen e tij, por njëkohësisht edhe për të marrë falënderimet nga familja e madhe e atletikës për krijimin e të gjitha kushteve për stërvitje dhe gara në “Elbasan Arena”.
E gjithçka do të ndodhë vetëm sot, ndërsa ashtu siç kemi thënë edhe herë të tjera të gjitha federatat sportive, me përjashtime të vogla, do t’i nënshtrohen procesit zgjedhor.