AlbanianSport.com 09.01.2017 12:30
ASNN – Ndërkohë që sezoni i ri sportiv sapo ka nisur, atleti dhe rekordmeni Izmir Smajlaj, shprehet optimist për të bërë histori në “Mbretëreshën e Sporteve”. Ai i ka vënë vetes si objektiva veç rekordeve, edhe triumfe në arenën ndërkombëtare. “Këtë vit premtoj shumë se do të vendos të tjera rekorde, – ka thënë shkodrani për mediat sportive shqiptare. – E them me siguri pasi jam në një gjendje fizike shumë të mirë.”
“Sinqerisht gëzoj një formë të jashtëzakonshme dhe besoj se do të kap distancën 8.30 metra, – theksoi atleti, i cili ka firmosur sërish kontratën me skuadrën e vendlindjes së tij, Vllazninë. – Së bashku me trajnerin tim, Vildan Tufi, besoj se do të shkojmë shumë larg këtë vit me rezultate.” Në muajin mars, Smajlaj do të konkurrojë në Kampionatin Evropian të Atletikës, që do të mbahet në Beograd.
24-vjeçari vë bast se atë ditë do të flitet shqip, teksa thotë: “Gjithashtu objektivat e mia sezonale janë “kampion” i Ballkanit, sikurse kam ëndërr që të ngre flamurin shqiptar në Beograd në Kampionatin Evropian, që do të zhvillohet më 5 mars 2017. Përse jo, pretendoj të ngjitem në podium edhe në kampionatin e ardhshëm botëror. I them këto për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që po kaloj për momentin.”