Gjergj Vyshka 05.03.2017 14:00
Kampioni i Evropës është me “oreks”: Tani dua medalje dhe në Botërorin e Londrës. Kisha kohë që përgatitesha për këto gara dhe ia arrita.” Izmir Smajlaj e ka pasur dje në mbrëmje festën e madhe, jo vetëm në sallën e mbyllur ku po zhvillohej Evropiani, por dhe në hollin e hotelit në të cilin ishte grumbulluar delegacioni shqiptar.
Jo vetëm kaq, por edhe telefoni i tij ka qenë i zënë, urime nga miq e shokë, po pse jo dhe nga politikanë. Ka qenë e vështirë me u lidh me të, por megjithatë, me shumë dashamirësi, ka pranuar të flasë për “Sport Ekspres”.
– Çfarë do të thotë të jesh “Kampion Evrope”?
– Është gëzim i madh. Jam shumë i emocionuar dhe nuk di si ta përshkoj. Jam i kënaqur që ia arrita ta ngrejë flamurin shqiptar për së dyti në Beograd. Sepse nderova Shkodrën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët. Për këtë jam më shumë se sa i kënaqur.
– Kujt ia dedikoni suksesin?
– Vetëm familjes, e cila është përkushtuar pazgjidhshmërisht me mua dhe me përgatitjen time. Sigurisht dhe trajnerit, apo drejtuesve të Federatës. Por mbi të gjitha familja
– Gjatë garës keni thyer dy herë rekordin kombëtar, ishte ky çelësi i suksesi?
– Shiko mendoj që suksesi janë kërcimet e mira që unë kam bërë. Mos harroni që me kërcimin e fundit kam dalë përpara një jave dhe Kampion Ballkani. Dhe kjo nuk kishte se si ndodhte ndryshe. Shpërtheva në kërcimin e fundit dhe ja ku jam sot. Kampion Evrope, por premtoj që të kem dhe të tjera medalje të tilla.
– Rivali më i fortë i garës?
– As më pak e as më shumë suedezi, që kishte të njëjtin rezultat me mua, por për fatin tim të madh kishte faulle më shumë dhe kjo nuk është pak.
– Së fundi, cilat janë objektivat në vazhdim?
– Tanimë kemi Kampionatin Botëror përpara të Atletikës, atje ku përsëri kërkoj medalje dhe të jem në podium. E theksoj dhe një herë ky ishte qëllim im, flamuri shqiptar të valëvitej në Beograd.