AlbanianSport.com 25/02/2021 18:40
ASNN – Flet presidenti Ruli dhe dy atletët kuqezi, Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj. Izmir Smajlaj dhe Franko Burraj kanë bërë “bis” në Beograd të mërkurën, aty ku dy shkodranët kanë përsëritur suksesin e Kampionatit Ballkanik, marrin përkatësisht medalje të artë e të argjendtë. presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, nuk e ka fshehur kënaqësinë për këto arritje, në një vit ku të dy sportistët kanë synime të mëdha.
Atletika shqiptare ka marrë dy medalje të mërkurën në Mitingun e Atletikës në Salla të Mbyllura “Serbian Open 2021”, të mbajtur në Beograd dhe presidenti i saj, Gjergj Ruli, nuk e ka fshehur kënaqësinë për këto arritje. “Izmiri bëri detyrat në mënyrën më perfekte, për të marrë vendin e parë dhe medaljen, – tha ai. – Edhe Franko bëri një garë të shkëlqyer, por, fatkeqësisht, pati një kontraktim në fund që i kushtoi finishin.”
“Megjithatë, të dyja janë atletë të mëdhenj, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris atletikën shqiptare. – Nga Stambolli që udhëtuam, duke ardhur nga Kampionati Ballkanik dhe duke bërë një garë të dytë brenda pak ditësh nuk është pak.” Izmir Smajlaj ka marrë medalje të artë, duke triumfuar kundër 7 rivalëve të tjerë në kërcim së gjati,.
Ndërsa edhe Franko Burraj, ka përsëritur rezultatin e arritur në Kampionatin Ballkanik të para pak ditëve në Bullgari, ku mori medaljen e argjendtë, duke e mbyllur në vendin e dytë edhe në garën serbe në 400 m. “Jam shumë i kënaqur me rezultatin, pavarsisht se prisja edhe më tepër, megjithëse kishim një kohë shumë të shkurtër rekuperimi prej Stambollit”, – ka thënë atleti i kërcimit së gjati.
“Por tani më pret një javë shumë e fortë, pasi përpara kam Kampionatin Evropian, që zhvillohet nga data 4, deri më 7 mars 2021 në Poloni, ku unë shpresoj të futem në zonën e medaljeve”, – ka shtuar Smajlaj. “Po, jam shumë i kënaqur, gara ishte shumë e vështirë dhe kundërshtarët ishin të fortë, – ka thënë ndërkohë Burraj. – Por tani përgatitemi për Kampionatin Evropian.”
“Aty shpresojmë që të thyejmë rekordin dhe të paktën të hyjmë në zonën e finales”, – ka shtuar atleti i garës së 400 m. Për Smajlajn, ky është një vit që premton shumë. “Duket se mua Beogradi më sjell fat dhe aty fitoj zakonisht medalje, – thotë 27-vjeçari. – Prandaj uroj të më sjellë fat dhe besoj që 2021-shi do të jetë viti im, edhe sepse jam rikuperuar 100 % prej dëmtimit që kam patur.”
Si presidenti dhe trajneri i tij, ashtu edhe vetë sportisti i kanë të qarta objektivat. “Ne i kemi vënë vetes një objektiv për këtë vit, që është distanca 8 m e 30 cm dhe themi që do ta realizojmë”, – ka deklaruar Ruli, ndërsa Smajlaj ka shtuar: “Besoj që në periudhën e verës do të jem mbi 8 m e 20 cm, 8 m e 30 cm dhe besoj që do të bëjmë realitet ëndrrën që kemi patur me trajnerin tim të shtrenjtë, Vildan Tufin.”