Gjergj Vyshka 03.03.2017 12:55
Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, dy përfaqësuesit e Shqipërisë në Kampionatin Evropian të sallave të mbyllura në Beograd, janë kualifikuar për në finale. Një kërcim i vetëm i Izmir Smajlajt, me 7.98 metra, që përsëri rezultatin e një jave më parë me të cilin u shpall dhe Kampion Ballkani, dhe shkodrani është në finale.
Ai është renditur në vendin e tretë në kualifikuese, ndërsa përpara janë renditur ukrainasi Serhi Niforov me 8.18 metra (7.65 në kërcimin e parë dhe 8.18 metra në të dytin), si dhe serbi Lazar Naniç me 7.98 metra, që e ka kapur në kërcimin e dytë, kurse në të parin ka kërcyer 7.65 metra.
Gara finale është sot në ora 19:32. Ndërkohë në finalen e 1500 metrave, që zhvillohet sonte në ora 19:45, ka hyrë dhe Luiza Gega, e cila në garën kualifikuese ka zënë vendin e nëntë me 4’13”40.
Në fakt krahasuar me garat që ka bërë deri më tani, teksa në 3000 metra në Paris mori vendin e tretë dhe kohën 8’52”53, apo në Ostrava në vendin e dytë në 1500 metra me 4’08”26, si dhe në Stamboll në vendin e parë me 4’06”65, kjo është koha më e keqe.
Megjithatë si për Smajlajn, ashtu dhe Gegën, priten që mbrëmja e së shtunës t’i shohë në podiumin e medaljeve.