Gjergj Vyshka 06.02.2017 14:20
Kampionati Kombëtar Dimëror Individual i Atletikës, i cili është programuar për t’u zhvilluar të mërkurën në pistën e stadiumit “Elbasan Arena”, ka nisur dje. Pikërisht në këndin e hedhjeve të ish-kompleksit “Dinamo”, që në fakt nuk është në gjendjen e tij më optimale, madje mund të konsiderohet krejtësisht jashtë standardeve, është zhvilluar gara e shtytjes së gjyles. Ishte parashikuar që të ishte dhe për femra, por në fakt kanë munguar vajzat e kësaj disipline, ndonëse praktikisht Mjeshtëria Sportive Durrës e kultivon si sport.
E në këndin e hedhjeve kanë qenë konkurrentë vetëm 6 hedhësa, të gjithë të klubit shumësportësh Teuta. Në fund ka dalë fitues Azgan Zeka, që ka pasur distancë me centimetra me vendin e dytë që u mbajt nga Roland Metaj, apo dhe me metra me vendin e tretë të Donald Xhafës. Një garë që nuk ka shkuar më shumë se sa 30 minuta, ndërsa të gjithë kanë qenë me fat, sepse është bërë në një kohë me diell dhe temperaturë 19 gradë celsius, ndonëse era që do të sillte shiun e furtunën më pas ka shqetësuar disi.
Për t’u nënvizuar një mbarëvajtje e mirë e garës nga kryegjyqtari Filip Nito dhe sekretarja e garave Vjollca Hazizllari, ndërsa gjithçka është ndjekur dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Atletikës, Nikolin Dionisi. Tashmë të mërkurën në pistë, e cila do të jetë përzgjedhëse dhe për kombëtaren e Shqipërisë, që më 25 shkurt do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të sallave të mbyllura, i cili zhvillohet në Beograd.
Për këtë qëllim në fund të kampionatit është vendosur që të mblidhet Komisioni Teknik, që do të bëjë propozime për kandidaturat, të cilat më pas do ta marrin aprovimin po atë ditë nga Komiteti Drejtues. Është cilësuar nga Federata Shqiptare e Atletikës që do të jetë një kombëtare e reduktuar, por që do të jetë në Beograd me fondet e institucionit më të lartë të atletikës shqiptare. Shkurt, Azgan Zeka është kampioni i parë i dimrit në atletikë për vitin 2017.
Kampionati Kombëtar Dimëror Individual i Atletikës
Rezultatet teknike të shtytjes së gjyles
1) Azgan Zeka (Teuta) 14.68 m
2) Ronaldo Metaj (Teuta) 13.84 m
3) Donald Xhafa (Teuta) 13.01 m