Gjergj Vyshka 03.12.2015 10:40
Pista e Stadiumit “Elbasan Arena” do të jetë edhe streha e atletikës shqiptare. Kështu ka konfirmua presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, ndërsa sipas tij pista me të gjitha standardet ndërkombëtare i bën të ndjehen mirë të gjithë atletët. “Kështu të paktën ka thënë Luiza Gega”, – ka thënë ish-rekordmeni për shumë vite i kërcimit së gjati .
“E ajo pistë është për garat e shpejtësisë, ka të gjitha resurset për kërcimet, si dhe për garat e gjysmëthellësisë, – ka vijuar Ruli. – Ne e kemi marrë në patronazh atë. Më duhet të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për mbështetjen, si dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Ne do t’i japim një fshesë korrenti, e cila është e domosdoshme për të pastruar pistën nga ato që lë fusha e futbollit.”
“Dhe që nga veprimtaria e parë do të jemi atje. Mos harroni që Elbasani ka një traditë në atletikë, të cilën po e ngjall nëpërmjet ekipeve të moshave. Atletika është jo vetëm në ndihmë të futbollit, por të të gjitha sporteve”, – ka përfunduar kreu i organizmit që qeveris “mbretëreshën” shqiptare të sporteve, Gjergj Ruli.