AlbanianSport.com 11/12/2018 19:35
ASNN – Atletika Shqiptare ka kaluar peripecitë e saj, me shumë sfida dhe pengesa, por ajo mbetet ende një sport bazë, një sport që në Shqipëri është vënë në kushtet e mbijetesës për shkak të dëmtimit masiv të infrastrukturës, por edhe mungesën e financimit. Dihet që në të gjithë botën atletika është sport që financohet nga shteti dhe ajo kërkon sforco financiare, por është garanci për zhvillimin e sportit të një vendi.
Pikërisht këtë ka parasysh edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, njëherësh trajneri i sportistit kampion Izmir Smajlaj, i cili, përpos optimizmit që këtij sporti nuk i mungojnë yjet, duke veçuar Luiza Gegën dhe Izmir Smajlajn, por edhe sportistë të tjerë të nivelit të lartë, vë theksin tek domosdoshmëria e shtimit të fondeve për të ripërtërirë atletikën.
Më së pari, duke kërkuar që t’u krijohen kushtet infrastrukturore dhe njëherësh financiare sportistëve elitarë. Për Rulin financat po shndërrohen në “thembra e Akilit” e atletikës, pasi po bëhen pengesë për një stërvitje normale dhe për pjesëmarrje në gara. Kjo është intervista e Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, për të përditshmen shqiptare, “SOT”, që AlbanianSport.com po jua sjell në 3 pjesë dhe sot është pjesa e dytë.
… vijon nga dje
– Është detyrë e shtetit të ndërtojë infrastrukturën e përshtatshme për zhvillimin e atletikës, por ajo mungon. Si ia bëni që të zhvilloni një stërvitje normale?
– Në kushtet ku operojmë bëjmë një stërvitje me sakrifica të mëdha. Por ne na kanë hapur dyert njerëzit e thjeshtë, kanë arritur deri aty sa të na japin çelësat e palestrave. Por na kuptoni, Izmir Smajlaj nuk po garon për “badibilding”, as për shtangist, atij i duhen pistat e përshtatshme për këtë garë, sepse kërkohen kërcimet si numër në javë, muaj e vit. Që të shkosh jashtë vendit duhen para, sepse ka shpenzime. Ne nuk kemi financa të mjaftueshme për ta mundësuar këtë, duhen shpenzime biletash, fjetje, akomodimi dhe ushqimi, stërvitjeje etj. Vetëm ne na ndodh të privohemi nga kushtet minimale. Nëse kushtet do të ishin të mira, ne sot do të kishim në gjirin tonë një lider të atletikës botërore. Ndoshta mund t’u duket e tepruar kjo që do t’ju them, por Izmir Smajlaj ka sprint më të fuqishëm se Jusein Bolti. Për të qenë sportist i nivelit të lartë, na duhen më e pakta 1,100 orë stërvitje në vit. Por kur nuk e bën stërvitjen normalisht, kur ke mangësi në infrastrukturë e bazë materiale, atëherë do të mungojnë orët e nevojshme. Pse përmend vazhdimisht kushtet? Sepse në temperatura 10 gradë Celcius nuk bëhet vrapim në natyrë, duhet me patjetër salla të mbyllura. Në të kundërt, rrezikohet shëndeti i sportistit, i cili mund të marrë pneumoni, ose të dëmtohet fizikisht. Pra, pa kushte nuk bëhet sport dhe ne si atletikë e vuajmë këtë.
– Shteti dihet që ka buxhet të kufizuar, por ju duhet të gjeni rrugët e sponsorizimit. A ka mbështetje sportisti juaj në këtë moment?
Atletin Smajlaj e sponsorizon AMA Kafe,të cilën e falënderoj. Është suportuesi kryesor dhe i vetmi. Sa i takon Bashkisë, ajo po na ndihmon me një pistë kërcimi, të cilën do ta bëjmë me tartan dhe do të jetë vetëm për garat e kërcimit së gjati dhe atë 3-hapësh. Ambicia ishte që pista të mbaronte këtë vit dhe shpresoj të mbarojë.
– Pse thoni “shpresoj”?
Sepse koha nuk është e përshtatshme. Shtrimi i pistës, me elementët e vet, përfshi dhe vendosjen e tartanit, kërkojnë kushte të një moti më të ngrohtë, gjë që nuk e ofrojnë ditët e dhjetorit.
– Cilët janë objektivët tuaj për vitin 2019?
Viti 2019 do të jetë i mbushur me aktivitete dhe ne po projektojmë një sërë veprimtarish ku mund të kemi sukses. Do të nisë me Evropianin e Gllasgout, që është veprimtari e sallave të mbyllura (Indoor). Por kemi problemin e kohës që nuk po punon për ne. Sportisti ka nevojë për një stërvitje jashtë vendit, mundësisht në vende të ngrohta, si në Turqi apo gjetkë. Ndërkohë, për të pasur një program stërvitor të ngjeshur, të plotë dhe psikologjikisht të arrirë, duhet që sportisti të udhëtojë me familjen, pra të ketë afër familjen e tij. Po ashtu dhe trajneri. Ky është sport i sakrificave, kam rast personal që humba babanë se isha në garë e s’i gjendesha pranë. Por këto gjëra duhen parë, sepse ana psikologjike e sportistit dhe trajnerit ndikon në garë.
– Atletika është sport që ka vështirësi të gjejë mbështetës në Shqipëri, sepse nuk sjell fitime…
– Kjo është mjaft e dëmshme. Në fakt, përveç futbollit, atletika është sporti me audiencën më të madhe. Duhet të theksojmë këtu se atletika është sporti që kudo në botë mbështetet drejtpërdrejt nga shteti. Ka arsye pse ndodh kjo, pasi atletika është “mbretëresha e sporteve”, pra ajo është në bazën e të gjitha sporteve. 45 milionë Euro është buxheti për atletikën në Itali, 17 milionë Euro në Turqi, 52 milionë Euro në Francë, 55 milionë Euro në Gjermani. Këto janë shifra të pakrahasueshme me çfarë merr atletika jonë në harkun e një viti, diçka më shumë se 50 mijë euro, ndërsa 20 mijë të tjera shkojnë për rroga.
vijon nesër…