Gjergj Vyshka 14.04.2016 16:15
Relaksa Dauti e Tiranës dhuron një tjetër rekord në 1,000 metra. Nga 3’02”53, që e kishte vendosur vitin e kaluar më 2 prill, tashmë në 2’52”68. Stërmasi: “Kjo do të jetë e ardhmja e atletikës”. Bukuria e këtij Kampionati Kombëtar të Atletikës për Nën-13 dhe Nën-16-vjeçarët ka qenë përsëri Relaksa Dauti, e cila vitin e kaluar ka qenë nënkampione e Ballkanit për të rejat.
Dauti, që trajneri Taulant Stërmasi e cilëson e ardhmja e atletikës shqiptare, ka thyer rekordin kombëtar në 1000 metra për moshën deri në 16 vjeç. Nga 3’02”52, të cilën e kishte vendosur po vetë më 2 prill të vitit të kaluar, tashmë ka fiksuar kohën 2’52”68. Një ulje me dhjetë sekonda, aq sa Stërmasi deklaron me plotgojë që është kohë e nivelit botëror për grupmoshën e saj.
Kampionatin e moshave e kanë përshëndetur jo vetëm presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, e sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi, por dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Kësisoj Kampionati Kombëtar i Atletikës për Nën-13 dhe Nën-16-vjeçarët, mes gjallërisë së fëmijëve ka dhënë dhe rekordin e Dautit.